Arbëri

Gërvalla: Komiteti i Ministrave të mblidhet e të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në KiE

Donika Gërvalla dhe Gabrielius Landsbergis

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD), Donika Gërvalla është takuar me presidentin e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës, Gabrielius Landsbergis, i cili është edhe ministër i Punëve të Jashtme i Lituanisë. 

Për këtë takim ka njoftuar MPJD-ja, duke treguar se është folur për fuqizimin e bashkëpunimit për rrugën euroatlantike të Kosovës, në këtë rast anëtarësimin e plotë të Kosovës në Këshillin e Evropës.

Ajo ka kërkuar që Komiteti i Ministrave të mblidhet e të votojë pro anëtarësimit të Kosovës në KiE.

“Ministrja Gërvalla theksoi se, ashtu siç ka konfirmuar Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës,Republika e Kosovës ka plotësuar të gjitha kushtet për anëtarësim dhe ofroi bashkëpunimin e institucioneve të Kosovës me qëllim që sa më parë të mund të mblidhet Komiteti i Ministrave për të marrë vendimin historik për anëtarësimin e Republikës së Kosovës në Këshillin e Evropës”, thuhet në njoftim.