Arbëri

Gërvalla i quan propagandë ndërlidhjet me pushtetin

Drejtori i zgjedhur i RTK-së, Rilind Gërvalla, deklaroi se është i indinjuar nga ato që i ka cilësuar sulme, pasi u zgjodh në krye të këtij institucioni publik. Ai deklaroi të martën se do të ndërmarrë rrugë ligjore “për të gjitha përpilimet e pasakta në emrin tim”.

Ai tha se ka shërbyer në RTK për 23-vjet, si gazetar, drejtues i lajmeve ndërkombëtare dhe i këmbimit të lajmeve në ndërlidhje të RTK-së.

“Pas sulmeve publike të këtyre ditëve, të bazuar në propagandë dhe fabrikim, jam pak i indinjuar, por më shumë i brengosur se në ç'masë kanalet e komunikimit në ditët e sotme arrijnë ta bëjnë ndërmjetësin e interesave të caktuara pa bërë hulumtim të detajuar. Për hir të korrektësisë mediatike, do të më duhet të ndërmarrë rrugë ligjore për të gjitha përpilimet e pasakta në emrin tim. Paçim një rrugë të bukur bashkë, me bashkëpunim, diskutime dhe kërkesa të hapura, transparente dhe profesionale”, shkroi Gërvalla.

Zgjedhjen e Gërvallës e kritikoi juristja e të drejtës së medias, Flutura Kusari. Ajo tha se kjo është kapje e pjesës informative në RTK.

“Aktivisti i LVV-së, Rilind Gervalla, u votua drejtor i televizionit publik të Kosovës, me tetë vota për dhe asnjë kundër. Kjo quhet kapje e pjesës informative nga partia në pushtet. Thellësisht e zhgënjyer që është humbur mundësia për depolitizimin e RTK-së”, ka shkruar Kusari në Facebook.