Ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka deklaruar se Kosovës i duhet mbështetje e qartë në aspiratat për anëtarësim në Bashkim Evropian dhe NATO.
Në takim me pesë homologët nga vendet e Ballkanit Perëndimor të dielën, me përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurinë të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas dhe ministrat e Jashtëm të bllokut, Gërvalla ka deklaruar se Kosovës duhet t’i hiqen masat sanksionuese të BE-së.
Ajo tha se janë tri veprime urgjente që do të kontribuonin në stabilizimin e rrethanave në rajonin e Ballkanin Perëndimor.
“Hapat në fjalë janë: heqja e masave ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës, përfundimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës, si dhe mbështetja për aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE”, ka thënë Gërvalla, thuhet në komunikatën e ministrisë dërguar mediave.
Ministrja në detyrë ka folur edhe për përkushtimin e Qeverisë ndaj dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja me Serbinë, duke shtuar se procesi “duhet të çojë drejt njohjes reciproke dhe ndërtimit të marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, mbi bazën e barazisë dhe vlerave evropiane”.
“Ajo kërkoi nga BE-ja edhe veprime ndaj Serbisë e cila në vazhdimësi e mohon marrëveshjen dhe vepron në kundërshtim me dispozitat e saj. Në dritën e kërcënimeve të vazhdueshme nga Serbia dhe ndikimit rus në rajon, Ministrja Gërvalla bëri thirrje për mbështetje të fuqishme për aspiratat e Kosovës për anëtarësim në NATO. Ajo kërkoi gjithashtu llogaridhënie të plotë për aktin e hapur të agresionit në Banjskë, si çështje kyçe për sigurinë rajonale dhe integritetin e BE-së”, thuhet tutje në komunikatën e ministrisë, derisa Gërvalla ka thënë se “koha për veprim është tani”.
Kallas ka deklaruar se siguria dhe stabiliteti i lidh vendet e Ballkanit Perëndimor, duke shtuar se ndajnë më tepër se aspektin gjeografik, duke u shprehur se vendet ndajnë përgjegjësi.
“Ne ndajmë më shumë se gjeografinë me Ballkanin Perëndimor – ne ndajmë përgjegjësi. Siguria dhe stabiliteti ynë na lidh pranë njëri-tjetrit. Sonte do të takohem me ministrat e Jashtëm të Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimit Evropian për të diskutuar bashkëpunimin për sigurinë dhe mbrojtjen”, ka shkruar ajo në rrjetin social X.