Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, ka thënë se vijat e kuqe të Kosovës për themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe janë cenimi i sovranitetit dhe i funksionalitetit të Republikës së Kosovës.
Sipas saj, këto janë dy pika që në asnjë format të bisedimeve me ndërkombëtarët, Kosova nuk do të lejojë të shkelen.
Gërvalla ka deklaruar se nuk ka asnjë zotim të institucioneve të Kosovës për zbatim të Asociacionit me elemente ekzekutive që cenojnë funksionalitetin e shtetit.
“Përkundrazi ka një zotim për të gjetur një format, ku do të mund të organizoheshin Komunat me shumicë serbe, që nuk cenojnë sovranitetin e funksionalitetin e vendit, ngase këto janë parakushte që kemi hyrë në negociata”, ka thënë ajo në RTK.
Lidhur me dialogun me Serbinë, Gërvalla ka theksuar se partnerët besojnë se ka një shans për marrëveshje serioze me Serbinë e që Kosova është treguar e interesuar që të arrihet marrëveshja për normalizim te marrëdhënieve.
“Kosova nuk njihet si një vend që nuk e mban fjalën e dhënë, prandaj mendojmë mirë se çfarë deklarojmë sepse nuk mund të sillemi si Serbia e cila premton pesë herë në ditë e nuk mban asnjë prej tyre”, deklaroi ministrja Gërvalla, derisa vuri në pah përvojën e saj vetanake, si person që ka zhvilluar dialog me shtetin fqinjë e që, ndonëse është pajtuar me marrëveshjen ajo ka mohuar pa kaluar 24 orë nga arritja e marrëveshjes që kishte të bënte në mospendimin e anëtarësisë së Kosovës në mekanizmat ndërkombëtarë.
“Ne bëjmë dialog me partnerët tanë, sepse nëse partnerët tanë deklarojnë se ka një shans, atëherë ne do të ishim të fundit që nuk do ta shfrytëzonim këtë shans, por që nuk hezitojmë të shprehim pesimizmin tonë ndaj Serbisë sepse kemi përvojë të gjatë me të e që sjelljet e saj vetëm sa përforcojmë skepticizmin tonë”, deklaroi mes tjerash ministrja Gërvalla.