Organizata GERMIN ka zhvilluar takime me udhëheqësit kryesorë institucionalë në Kosovë, përkatësisht me kryeministrin, Albin Kurti, e ministrin e Integrimit Evropian, Blerim Reka, si dhe kryetaren e Kuvendit të Kosovës, Vjosa Osmani.
Në këto takime, që u mbajtën dje, u prezantua bordi i ri i organizatës GERMIN, i përbërë 100% nga pjesëtarë të diasporës: Mark Kosmo, udhëheqës i Fondacionit Global Shqiptar (Boston, Masaçusets, SHBA); Anila Hyka Smorgrav, drejtuese në Orange Business Services (Paris, Francë); Avni Mustafaj, ish-drejtor i Këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan (NAAC, New York, SHBA); Gaspër Sopi, ndërmarrës (Zagreb, Kroaci); Gazmend Salihi, ndërmarrës/Inovator (Kopenhagë, Danimarkë).
Në këto takime u prezantuan synimet e strategjisë së re 4-vjeçare të GERMIN-it, e cila synon që të thellojë lidhjet e pjesëtarëve të diasporës përmes krijimit të një marrëdhënie mirëbesimi mes komuniteteve, organizatave dhe institucioneve brenda e jashtë vendit, me qëllim të ndikimit në zhvillimin e vendeve amë.
Anëtarët e bordit dhe stafi i GERMIN kërkuan angazhim nga kryeministri në adresimin dhe zgjidhjen e problemeve dhe pengesave në angazhimin e diasporës, duke filluar nga eliminimi i barrierave për ushtrimin të drejtës së votës nga jashtë (përmes mundësimit të votimit në ambasada dhe konsullata), angazhimin i profesionistëve në periudha afatshkurtra në Kosovë, ruajtjen dhe forcimin e identitetit kulturor në diasporë, lehtësimin dhe garantimin e investimeve, e deri te zgjidhja e problemit të kartonit të gjelbër.
Kryeministri Kurti premtoi se do të angazhohet maksimalisht dhe personalisht në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe se do të jetë i hapur për bashkëpunim. Ndërkohë, znj. Osmani falënderoi përfaqësuesit e bordit dhe stafin e GERMIN-it për vizitën dhe shprehi gatishmërinë për bashkëpunim, sidomos në fushën e angazhimit të potencialit intelektual të profesionistëve të rinj nga diaspora në Kuvendin e Kosovës, përmes një programi shkëmbimi.
Gjatë ditës, GERMIN-i takoi po ashtu përfaqësuesit e organizatave partnere vendore dhe ndërkombëtare si: Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), Shoqëria Gjermane për Zhvillim Ndërkombëtar (GIZ), Qendra e Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC) dhe Klubi i Prodhuesve të Kosovës.
Organizata GERMIN-i, përveç bashkëpunimit me institucionet shtetërore në Kosovë, do të vazhdojë të jetë kritike sa u përket çështjeve që lidhen me diasporën dhe do të kërkojë në vazhdimësi nga institucionet relevante adresimin e pengesave dhe krijimin e programeve që lehtësojnë angazhimin e diasporës, sidomos sa i përket rritjes së përfaqësimit, tërheqjes së ‘trurit’ dhe kanalizimit të remitencave në funksion të zhvillimit.
{gallery}