Arbëri

Gërmimi i ekskavatorit, pak metra nga tavolinat ku qytetarët pinë kafe

Qytetarë e ekspertë janë ankuar se punimet e filluara të hënën në sheshin “Xhorxh Buxh” shkelën rregullat bazë të sigurisë. Edhe zyrtarë të Komunës së Prishtinës thanë të jenë në dijeni për ankesat dhe u zotuan për masa shtesë. Por, të martën pasdite Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërprerë punimet

Në qendër të Prishtinës, vetëm pak metra nga tavolinat ku qytetarët pinë kafe, të martën ka gërmuar ekskavatori.

Eksperti për Siguri dhe Shëndet në Punë, Arian Ibishi, ka thënë se në punimet e filluara të hënën në sheshin “Xhorxh Buxh” janë shkelur rregullat bazë të sigurisë.

“Nuk ka asnjë shenjë të njoftimit dhe rrezikohet pjesa e qytetarëve e nuk dihet se sa do të jetë pjesa e gërmimit, e cila duhet të jetë 45 shkallë... Këtu llogaritet si rrezik i përgjithshëm, për shkak se qytetarët e frekuentojnë këtë pjesë, e distanca që duhet të jetë prej objekteve e deri tek rrethoja e punishtes duhet të jetë 1.5 e deri në 2 metra”, ka thënë Ibishi.

Edhe qytetarë që kaluan përreth vendpunishtes vlerësuan se rrethojat e vendosura janë formale dhe nuk ofrojnë siguri.

“Ana e djathtë nuk është e sigurt, është shumë afër. Ka tavolina të lokaleve aty, të cilat gjatë ngarkimit e shkarkimit mund të ketë lëndime. Ndoshta ish dashtë me qenë të paktën 2-3 metra për të qenë më i sigurt”, ka thënë Sadik Hajrizaj, qytetar.

Shqetësime ka shprehur edhe qytetari tjetër Sylejman Krasniqi.

“Shumë duhet me qenë rrethojat ndryshe, më të izoluara për shkak të popullit”, ka thënë ai.
Drejtoria për Transformim, e cila funksionon në kuadër të Komunës së Prishtinës, është përgjegjëse për mbikëqyrjen e projektit. 

Drejtori Gëzim Kastrati ka konfirmuar se ka ankesa për masat e pamjaftueshme të sigurisë dhe ka theksuar se gjatë të hënës ia ka tërhequr vërejtjen kompanisë së kontraktuar.

“E kemi lajmëruar operatorin për të pasur kujdes që së paku me e rrethu më mirë me rrjetë ose panele druri që e bllokojnë komplet vendpunishten”, ka thënë Kastrati.

Sipas Kastratit, ditëve në vijim zona e punimeve do të rrethohet në tërësi dhe nuk do të shihet më as vizualisht.

Por, të martën pasdite, Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore ka ndërprerë punimet në shesh me arsyetimin se kompania është futur në zonën e mbrojtur.

Për punimet Komuna e ka kontraktuar kompaninë “Salillari Group”. KOHA ka bërë përpjekje për të marrë versionin e kompanisë për masat e sigurisë në vendpunishte, por në numrin e kontaktit që e ka në faqen e ARBK-së nuk është lajmëruar askush.

E, eksperti Arian Ibishi ka treguar masat që duhet ndërmarrë punëkryerësi në mënyrë që të parandalohen aksidentet.

“Rrethoja e cila po shihet tani është e pranueshme sepse është 2 metra, por duhet ta ketë një mbështjellës brenda punimeve që bëhet dhe duhet ta ketë njoftimin me shenja ‘kujdes’ që mos të afrohen qytetarët”, ka thënë Ibishi.

Kjo është hera e tretë që punimet në sheshin “Xhorxh Bush” ndërpriten nga Inspektorati i Trashëgimisë Kulturore.