Dren Gërguri, ligjërues në Universitetin e Prishtinës ka thënë se situata në Ukrainë ka krijuar një valë të re të dezinformimit që nga koha e pandemisë.
Ai në Interaktiv të KTV-së ka thënë se karakteristikë në këtë fazë është se ka taktika të reja të përhapjes së dezinformimit, e që janë pamje nga videolojërat.
Sipas tij, nuk ka pasur më herët përfshirje kaq të madhe të rrjetit social TikTok, ku po publikohen video që janë realizuar shumë më herët porse po paraqiten sikur po ndodhin aktualisht.
“Në terminologji është përmbajtje mashtruese. Kjo ka ndodhur te ne edhe më herët. Kur flasim për motivet e njerëzve që shpërndajnë dezinformata, ato mund të jenë të ndryshme. dikush e bën për përfitime financiare e dikush tjetër mund të bie pre e tyre. Të gjithë përdoruesit duhet të jenë të kujdesshëm se ku i marrin informacionet. Për të verifikuar një fotografi është e lehtë pasi mund të përdoret google image”, ka thënë ai.
Gërguri ka thënë se ka raste kur propagandat shpërndahen edhe në Kosovë dhe kryesisht nga mediat si Sputniku.
Sipas tij, ka një krijim të një narracioni që është anti-Kosovë dhe anti-NATO, nga Rusia dhe Serbia.
Ai ka thënë se këto dy propaganda qarkullojnë në internet dhe institucionet do duhej të angazhoheshin që të mos lejojnë këto informata të qarkullojnë në internet.