Arbëri

Geci: Si pasojë e komunikatës së 59-të i kemi të plagosur dy vëllezër e të vrarë dy shokë

Fadil Geci

Dëshmitari Fadil Geci tha se komunikata e 59-të ka qenë sherr i madh në Drenicë dhe më tej, e që si e tillë ka qenë e rreme.

Sipas tij, si pasojë e kësaj komunikate ata i kanë dy vëllezër të plagosur e dy shokë të vrarë, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Komunikata 59-të është sherri më i madh, i lyer me benzinë, që e ka kallë jo vetëm Drenicën, por edhe më larg. E ajo komunikatë është e rreme, shpifëse, dashakeqe, që i ka ba dëm të gjithëve, por familjes time i ka krijuar shqetësime të mëdha edhe me pasoja të mëdha. I kemi pasur dy shokë të vrarë e dy vëllezër të plagosur”, tha Geci.

Përpara kësaj, dëshmitarit iu prezantua një intervistë që ai e kishte dhënë lidhur me këtë komunikatë.

“Në intervistën që na ke dhënë, ke thënë që lidhur me komunikatën 59-të dhe po lexoj: ‘E gjithë Drenica u ngrit në këmbë për të nënshkruar deklarata që kjo komunikatë ishte e rreme si kundër Sami Lushtaku dhe të gjithë përfaqësuesit e Drenicës kanë thënë… dhe ky është dokument zyrtar’”, lexoi prokurori James Pace.

Gjatë dëshmisë së tij në Hagë, dëshmitarit Fadil Gecit iu prezantua një deklaratë e Rexhep Selimit, ku kishte thënë se ai që e kishte vrarë Abedin Rexhën ishte Gani Geci.

Mirëpo, një gjë të tillë e mohoi Fadil Geci, i cili tha se kur flasim për bërthamat e UÇK-së, nuk duhet ta harrojmë Abedin Rexhën-Sandokanin, i cili sipas tij u vra “nga dora e tradhtarit”.

“Abedini dhe tre komandantë të tjerë kanë vdekur në betejë. Zona Operative e Drenicës dha katër komandantë brigadash në këtë luftë. Abedin Rexhën, Fehmi Lladrovcin, Ilaz Kodrën dhe Mujë Kransiqin. Vrasja e Komandantit Sandokan është një vrasje në vazhdën e vrasjeve nga tradhtia e njerëzve të mëdhenj. Abedin Rexha u vra nga dora e tradhtarit në pritë, ashtu siç kemi raste gjatë historisë tonë kur njerëzit e medhenj vriten nga tradhtarët”, lexoi prokurori James Pace përgjigjen e Rexhep Selimit në një intervistë.

Tutje, prokurori lexoi se Rexhepi kishte thënë se duhet të thuhet e vërteta mbi vrasjen e Rexhës.

“Kjo nuk bën të fshihet. Përkundrazi, në atë moment kur fshihet bëhet një atentat i dytë mbi Abedinin. Prandaj, duhet që të themi të vwrtetën lidhur me Abedinin. Vrasja e Abedinit është përfshirë në një komunikatë, në komunikatën 59-të, ku thuhet që ai është vrarë nga Geci. Pse është bërë kjo vrasje, ndërkohë që Abedini mendohet se ishte një person shumë i rëndësishëm i UÇK-së në atë kohë. Një shtyllë që njerëzit dëshironin që ta hiqnin”, lexoi prokurori tutje përgjigjen e Selimit në intervistë.
Më tej, Pace lexoi përgjigjen e Selimit, duke thënë se Abedin Rexha është vrarë nga Gani Geci.
“Abedin Rexhën e vrau Gani Geci. Duhet të bëhet analiza se kush është vrarë. Është vrarë një komandant brigade, një ndër themeluesit e UÇK-së në Drenicë, themeluesi i Brigadës 112 dhe një person me kompetencë, e një person që njihej nga popullata. Pse duhet ta fshehim këtë? Ne duhet ta themi të vërtetën”, tha prokurori ,teksa lexoi përgjigjen e Selimit.

Në përgjigjen e tij, dëshmitari Fadil Geci tha se një gjë e tillë është gënjeshtër.

“Ky e din që nuk është ashtu e është rrenë. Rrenë është. Komplet është rrenë. I ka vy, është përfaqësuesi i LPK-së e i drejtimit të kundërt, e ka shkruar për palën tjetër se është kështu e është ashtu. Kjo nuk është e vërtetë dhe është krejt rrenë. Forcat e Bujar Bukoshit kanë qenë forca të rregulluara brenda sistemit shtetëror të Kosovës. Qaj shtet që e kemi pas”, tha Geci.

Geci theksoi se kanë pasoja edhe sot për shkak të komunikatës 59-të, e që familja e tij vuan në atë drejtim derisa të bëhet e ditur për opinionin që kjo komunikatë është gënjeshtër.

Geci tha se për arsye që e ka treguar një të vërtetë, do ia falë Rexhep Selimit faktin që e ka quajtur vëllain e tij, Gani Gecin, tradhtar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“E ai shpifës kush është? Kam pas qejf me ardh me e pa në sy këtu e me e këqyr cili është shpifësi që ka shkruar për vëllezërit Geci - një familje e cila në të gjitha proceset u kanë e para në Drenicë. Kam pas qejf me e pa në sy edhe me e dëgju se kush është ai. Rexhepi e ka tregu. Faleminderit Rexhep Selimi për atë fjalë se kush e ka shkruar komunikatën. E ke thanë një të vërtetë. Ke punuar ma shumë se tjerët, Rexhep Selimi. Edhe atë fjalë ta fali se nuk është ashtu. Mirë e din që Gani Geci nuk është tradhtar, por është njëri ndër luftëtarët e parë”, tha Geci.

Dëshmitari tha se ai që e ka shkruar komunikatën 59-të nuk e ka ditur që do të vijë kjo ditë që të shihen në sy, e që do të turpërohen pastaj për gjërat që i ka bërë.

“Informacionin e kam pa bashkë me juve, ma keni dhënë deklaratën ti të Rexhep Selimit, e kam pa që ka thënë edhe në TV drejtpërdrejt se komunikatën numër 59-të e ka shkruar një dashakeq, e ai është Hashim Thaçi. Ai dashakeq që i ka bë dëm Drenicës me këtë komunikatë për një interes të tij personal me i largu nga skena vëllezërit Geci sikurse e largoi Serbia familjen Jashari dhe me qenë i lirë për me vepruar kah don, por ka gabuar. Ka gabuar shumë. Ai mentalitet ka qenë sllav e rus, e nuk e ka ditë që është Amerika e ka me marrë fund si një ditë këtu që jemi edhe kemi mu pa në sy dhe ka me u turpnu për këto punë që i ka ba”, tha Geci.

Më pas, prokurori James Pace u kthye sërish tek intervista e Rexhep Selimtit më 1999, ku kishte thënë që personi që ka vrarë Abedin Rexhën ka dashur ta vriste vetë atë.

Arsyeja që ka dështuar ky plan i vrasjes, sipas asaj që e lexoi prokurori, Selimi kishte thënë se ka qenë mosgjetja e dikujt të aftë për ta kryer vrasjen.

“Në bazë të asaj që po thuani ju ‘nga e njëjta dorë’, unë e di që e ka përmend ja familjen, ja vëllain, qaty dikun ka mendu. Mund të jetë ndryshe, unë nuk e di, por këta e dinë. Edhe Rexha a ka pa pasur ndonjë zënkë me vëllezërit Geci, a ka pas naj kundërshtim në Likoc a ku edhe Hashim çka i ka thanë. Këta e dinë ma mirë, unë nuk di”, tha Geci, kur u pyet se për kë ka mundur ta kishte fjalën Rexhep Selimi.

Pas kësaj, u kërkua që në prova materiale të pranohet intervista e Rexhep Selimit e dhënë më 1999, e cila u kundërshtua nga mbrojtja e tij me arsyetimin që këtë dokument nuk e ka parë dëshmitari dhe se nuk ka ndonjë dëshmi nga Prokuroria të lidhjes së këtij dokumenti me të akuzuarin.
Por, me urdhrin e trupit gjykues, ky dokument u pranua në prova materiale.
 

Lexo përditësimet tjera
Fadil Geci

Fadil Geci, ish-anëtar i UÇK-së, nis dëshminë në Speciale

Ish-anëtari i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Fadil Geci, ka nisur dëshminë në procesin gjyqësor ndaj...