Ish-koloneli i Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK), Hysen Gecaj, ka deklaruar se është ditur që misioni i KFOR-it në Kosovë nuk do ta lejonte dërgimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK) si reagues në veri, duke u shprehur se ende kompetencat kryesore për sigurinë i ka KFOR-i.
Ai është shprehur të hënën në “60 Minuta” të KTV-së se kompetencat e FSK-së kanë ndryshuar prej 2013-s, por siç tha ai, kjo s’nënkupton që do të dërgohej për reagim.
“Është ditur që KFOR-i do ta refuzojë kërkesën e Kosovës për dërgim të FSK-së, por jo për shkak të asaj marrëveshjeje të 2013-s. Sot misioni i FSK-së ka ndryshuar, por edhe me këto kompetenca derisa përgjegjësinë kryesore për sigurinë e ka KFOR-i. KFOR-i nuk lejon përzierjen e institucioneve të Kosovës në ato vende ku s'është i sigurt se mund të ketë probleme eventuale”, ka thënë Gecaj.
Ai ka shtuar se s’ka qenë e nevojshme kërkesa e institucioneve të Kosovës drejtuar KFOR-it, pasi sipas tij, kjo kërkesë është më tepër për politika të brendshme “e aspekt nuk shkon në favor të të raporteve me bashkësinë ndërkombëtare”.
Për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit, Gecaj ka deklaruar se Qeveria e Kosovës duhet ta shfrytëzojë si momentum të mirë për t’i përafruar raportet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimin Evropian. Ai ka thënë se ky është edhe momentum politik.
“Politika duhet ta shfrytëzojë momentin që me bashkësinë ndërkombëtar të iniciojë procedura që do t’i lehtësonte punët hetimit. Ky është moment i mirë për t’i relaksuar këto raporte, por së paku dje e sot nuk shoh që Qeveria ka arritur të gjejë një rrugë të depërtojë deri te bashkësia ndërkombëtare. Këtë problematikë ta kthejë në favorin e saj, në favor politik dhe në aspektin e sigurisë”, ka thënë ish-koloneli Gecaj.
Ai u shpreh se dihet që pas sulmit qëndron Serbia për shkak se edhe në të kaluarën ka pasur sulme në veri, por Gecaj ftoi që hetimet të kryhen dhe institucionet e Kosovës ta zbardhin plotësisht këtë sulm.
Për grupet e armatosura serbe në veri, Gecaj ka thënë se ato ende ekzistojnë dhe posedojnë armatim të mjaftueshëm për të shkaktuar sulme.
“Ato grupe janë këtu dhe armatime ka të mjaftueshme për ta. Është zor të mbyllet kufiri dhe të mos depërtojnë armatimet, e shto kësaj, edhe ato armatime para Banjskës, s'kanë qenë vetëm aty, por në tërë pjesën veriore. Armatimi mund të fshihet kudo, e s'kemi mundësi t'i hetojmë gjithmonë këto armë. Sa herë ka aksion në veri, Policia po gjen armatim. Kështu do të vazhdojë edhe për një kohë. Meqë kishim hedhje të granatave të dorës e sulm me eksploziv, tregon se situata po shkon duke u rënduar. Nuk pres që në këto momente të nisë luftë, por aktet po shkojnë duke u rënduar. Për këto ka barrë politike. Vetë organet e sigurisë s'i mbyllin këto probleme. Veriu është problem politik, një politikë e mirë heq nevojën për të dërguar ushtrinë apo policinë atje. Çdo gjë varet nga politika e asnjëherë s'mund të themi se kemi përfunduar një punë nëse kemi një qetësi momentale, e në anën tjetër s'është përmbushur aspekti politik. Pritet të vjen çasti kur këto grupe të angazhohen me direktiva të Beogradit që deri më tani ka manipuluar me to”, ka shtuar ai.
Ish-koloneli i FSK-së ka theksuar se fajtorja kryesore në këtë proces është Serbia, por shtoi se edhe Kosova “ka bërë gabime, duke bërë shkëputje nga bashkësia ndërkombëtare”.