Arbëri

Gazmend Muhaxhiri rizgjidhet kryetar i LDK-së në Pejë

Nënkryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Gazmend Muhaxhiri, është rizgjedhur të dielën kryetar i Degës së partisë në Pejë. Ai njoftoi se Kuvendi i LDK-së e zgjodhi edhe Kryesinë e re dhe 32 delegatë do ta përfaqësojnë degën e Pejës.

Muhaxhiri shkroi në Facebook se është nder që të jetë në krye të degës në Pejë, derisa falënderoi kryetarin e LDK-së, Lumir Abdixhiku “për besimin dhe mbështetjen e tij të pakursyer gjatë kësaj faze zgjedhore”.

“Njëherazi, dua të shpreh një falënderim të veçantë për kryetarin tonë të LDK-së, Lumir Abdixhiku, për besimin dhe mbështetjen e tij të pakursyer gjatë kësaj faze zgjedhore. Lumiri padyshim është një udhëheqës i shquar dhe një burim frymëzimi për të gjithë ne. Ju ftoj që të merrni pjesë aktivisht në debatet dhe diskutimet tona dhe të na sugjeroni për nismat dhe idetë tuaja. Fuqia dhe zëri i secilit prej jush janë thelbësore për suksesin tonë kolektiv”, tha Muhaxhiri.

Nënkryetari i LDK-së është njëherit kryetar i Komunës së Pejës.