Gazetarja Saranda Ramaj, deklaroi se hulumtimi rreth keqpërdorimeve në Fondin e Sigurimeve Shëndetësore, i publikuar në disa seri në “KOHA”, nisi pas bisedës me një punonjëse të një agjencie ndërmjetësuese.
Ramaj tha në emisionin “Sonte me Rronin”, të mërkurën se punonjësja e pyeti nëse i duhet një profaturë, që mund t’i shërbejë për trajtim jashtë vendit.
“Një vajzë, nga një agjenci, më ndali e më pyeti: ‘A po të vyen profaturë. Ne lëshojmë profatura’. Më pas më shtyri të pyes për një shërbim që unë nuk e kërkoj. Bisedova e i thashë a ka lidhje që nuk ma kanë nënshkruar mjekët. Më tha: ‘jo, këtë mund ta kryejmë edhe ne’. Ky ishte momenti që më shtyu të mendoja edhe më tepër për këtë. E pata edhe një bisedë me zyrtarë të Fondit, ju thash që nuk është normale të sillen kështu. E adresova të ministri Arben Vitia. Ka qenë 2020-ta”, rrëfeu Ramaj të mërkurën.
Ajo tha se për të ishte shqetësues bashkëpunimi i disa agjencive që kryejnë ndërmjetësime me pacientë për trajtim jashtë vendit. Sipas Ramajt, janë rreth 10 agjenci që kryejnë procesin e ndërmjetësimit me pacientë, kryesisht për trajtim në Turqi. Këto agjenci, siç tha Ramaj, i përfaqësojnë spitalet e njëjta.
“Reklamat e agjencive i tregojnë prioritetet e investimeve në shëndetësi. Këto janë çështjet më problematike të shëndetësisë. Të gjitha këto (agjenci v.j.) janë në oborr të Fondit”, shtoi ajo.
Gazetarja e KOHËS tha se 73 për qind e buxhetit të Kosovës shkon në spitalet turke për trajtim të pacientëve, gjersa shtoi se shpenzimet për atje janë rritur shumë viteve të fundit.
“Ky hulumtim i ka në fokus spitalet turke. 73 për qind e buxhetit shkon në spitalet turke. Deri në vitin 2016, e kemi bërë një krahasim me spitalet. Ka pasur spitale me 50 mijë euro të hyra, e sot i ka 2-3 milionë, pa i përfshirë borxhet”, shtoi ajo.