Arbëri

Gazetari gjerman që raportoi për luftën, kthehet në Kosovë për të shpalosur përjetimet

Në shënim të 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, gazetari gjerman Elias Berdel erdhi nga Gjermania në Kosovë për të rrëfyer përvojën e tij si reporter gjatë luftës në Kosovë.

Bierdel, i cili ka mbajtur një ligjëratë para studentëve të Universitetit të Prishtinës, ka shfaqur edhe reportazhet që flasin për luftën e Kosovës, raporton KTV.

“Nuk jam këtu t’ju tregoj çfarë keni përjetuar ju, por çfarë kam përjetuar unë, dhe unë nuk mund të rrija duarkryq duke parë çka po ndodhte dhe të mos raportoja, e t’i tregoja botës për këtë çka po ndodhte. Bajram Kelmendi ishte avokat brilant, njeri i shkëlqyer i cili u vra nga serbët. Njerëz të mirë u vranë, u maltretuan nga serbët” , ka thënë Bierdel , gazetar gjerman, ARD.

Ka thënë se për të emocionet e rikthimit në Kosovë kanë qenë të përziera me kujtimet e ngjarjeve të tmerrshme të 20 vjetëve më parë.

“Për mua, gjithashtu, është moment i mirë të jem këtu prapë. Jam këtu me gruan time, e cila erdhi për herë të parë dhe ajo kur erdhi më tha se, këtu është e mrekullueshme. Çfarë kam parë në Kosovë nuk duhet të ndodhë askund, nuk duhet të jetë e vërtetë. Jam munduar që disa nga këto momente t’i sjell në 17 minuta”, ka thënë ai.

Profesoresha Vjosa Sadriu-Hamiti, duke vlerësuar lart kontributin e tij, tha se momentet që kaluan së bashku me gazetarin Bierdel gjatë luftës, kanë qenë ndër më të vështirat.

Gazetari Bierdel, përveç raportimit gjatë luftës, ka përcjellë edhe rrugëtimin e Kosovës deri në shpalljen e pavarësisë.