Arbëri

Akuzohet për krime lufte gazetari britanik, që i quante terroristë krerët e Kosovës

Ish-shërbyesi civil britanik, Graham Phillips, që për shumë vjet e quajti veten gazetar të pavarur, po akuzohet në Parlamentin Britanik për krime lufte, pasi intervistoi një bashkëkombës të kapur nga ushtria ruse në luftën e Ukrainës. E kaluara e tij e diskutueshme e lidh edhe me Kosovën. Vjet më parë kishte nxitur reagime kur Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës iu referua si “organizatë terroriste”. Ai pati thënë se “Kosova kontrollohet nga terroristë dhe kriminelë lufte”.

“Kosova është shtet i kontrolluar nga terroristët dhe kriminelët e luftës... sigurisht njerëzit duhet të dinë këtë... çka mendoni që janë kryeministri Ramush Haradinaj dhe presidenti Hashim Thaçi?” pati deklaruar ai më 2019.

Kryeministri britanik, Boris Johnson, u ka thënë deputetëve se është i shqetësuar nga “mesazhet propaganduese” të Phillipsit, në intervistën me Aiden Aslin, nacionalist britanik që kaloi katër vjetët e fundit në Ukrainë dhe po shërben në forcat e armatosura të këtij shteti kundër pushtimit rus.

Deputeti Robert Jenrick shkoi edhe më tej duke thënë se intervista përbënte shkelje të konventës së Gjenevës për trajtimin e të burgosurve dhe se “intervistuesi Graham Phillips është në rrezik për ndjekje për krime lufte”.

Aslin ishte kapur nga forcat ruse teksa po mbronte qytetin e Mariupolit. Mbetet e paqartë se si u intervistua nga Phillipsi.

Phillips insiston se është gazetar i pavarur që mbahet me financa të veta. Ai ka marrë medalje nga shteti rus për raportimet në vijë me Rusinë, duke sugjeruar edhe javëve të fundit se Ukraina udhëhiqet nga nazistët e se masakra e Buchas është mashtrim. Ai ka 264 mijë abonentë në YouTube, por fiton edhe nga reklamat prej kompanive të mëdha perëndimore. Deri tash YouTube ka refuzuar të heqë videot e tij, pavarësisht thirrjeve nga politikanë të shumtë.

Sipas një interviste më 2014, Phillips kishte shkuar fillimisht në Ukrainë si tifoz i futbollit i Anglisë. Në moshën 30-vjeçare ai la punën në Zyrën Qendrore të Informatave në Nottingham dhe kaloi në Ukrainë ku e “gjeti” veten si gazetar.

Kur Rusia pushtoi Krimenë më 2014, ai u kthye në përkrahës të grupeve separatiste. Videot në YouTube u pëlqyen nga Rusia dhe kanali i përkrahur prej shtetit “RT” e përdori si gazetar të lirë. Ishte arrestuar nga Ukraina në Mariupol, por shpejt u largua nga syri i publikut pas rënies së interesimit të Perëndimit për luftën.

Videot nisi t’i rrallonte e më shumë i fokusonte në vizitat në Krime dhe tërhiqte vetëm pak mijëra klikime. Në njërën nga videot kishte folur edhe për luftanijen “Moskva” që u fundos nga raketat ukrainase ditë më parë.

Gjatë pandemisë ai u kthye në Britani, ndërsa dyshohet se ishte aty edhe kur nisi pushtimi rus i Ukrainës. Se si u rikthye në Ukrainë dhe arriti të intervistonte një të burgosur mbetet e paqartë.

Një nga videot e tij për Kosovën: