Arbëri

Gazetarët hedhin shortin për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve

Agjencia Kundër Korrupsionit (AKK) hedhjen e shortit për kontrollin e plotë të pasurisë së zyrtarëve të lartë publikë e ka bërë nga gazetarët e pranishëm, ku u zgjodh vetëm numri tre.

Në këtë mënyrë duke filluar nga numri tre, çdo personi të pestë zyrtar do t’i bëhet kontrolli i plotë i pasurisë.

Kontrolli i plotë i pasurisë fillon nga Shqipe Kryeziu, këshilltare komunale në Komunën e Rahovecit, dhe përfundon te numri 4748, Sokol Havolli, këshilltar komunal në Komunën e Prishtinës.

Kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Shaip Havolli u shpreh se në divizionin për mbikëqyrjen e kontrollit mbi pasurinë 4748 zyrtarë kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë, ndërsa këtë e kanë bërë vetëm 467 prej tyre.

“Për vitin 2017 kanë qenë të obliguar ta deklarojnë pasurinë 4748 zyrtarë, këtu kemi deklarime edhe pas mbarimit të afatit me marrje të detyrës së re, kanë deklaruar 467 zyrtarë, 47 raste janë deklarime pas afatit, 25 raste nuk kanë deklaruar fare pasuri gjithsej janë 72 raste të cilat departamenti i parandalimit i ka dërguar në departamentin për veprime tjera hetimore që me siguri nëse nuk kanë arsyetime të mjaftueshme atëherë shumica nga këto do të përfundojnë me kallëzime penale”, u shpreh Havolli.

Havolli tutje gjatë hedhjes së shortit u shpreh se po hasin në vështirësi në zbatimin e ligjit të ri të konfliktit të interesit në ushtrimin e funksionit publik, derisa shtoi se Ligji mbi Agjencinë dhe Deklarimin e Pasurisë pritet të procedohen shumë shpejt në Qeveri dhe më pas të kalojnë në Kuvend.

Ai ka folur edhe për punën që Agjencia Kundër Korrupsionit e ka bërë gjatë këtij viti.

“Nga janari në Agjenci janë pranuar 272 raste, 107 raste janë të bartura nga viti paraprak në 32 raste të vitit 2017 kanë filluar hetimet kurse gjatë vitit 2018 janë pranuar edhe 133 raste. Nga gjithsej këto raste deri më tani në prokurori dhe në Polici i kemi dërguar 35 raste me Kallëzime Penale, 7 raste janë përcjell në organet kompetente për shkelje administrative dhe presim që këtyre zyrtarëve tu shqiptohen masa administrative ose disiplinore. Janë mbyllur 72 raste, ndërsa 158 raste janë nën hetime administrative”, u shpreh Havolli.

Ndryshe, kryetari i Agjencisë Kundër Korrupsionit u shpreh se gjatë këtij vitit janë evidentuar 42 raste për konflikt interesi, derisa theksoi se problem vazhdon të mbetet prokurimi publik ku 72 raste janë hapur si të dyshuara për shkelje ligjore.