Gazetarët që ishin bërë cak i sulmeve nga protestuesit serbë në Komunën e Zveçanit, Zubin-Potokut e Leposaviqit kanë shpalosur para Komisionit Parlamentar për Media përvojat dhe sfidat e raportimit nga veriu. Ata e shprehën kërkesën që shteti t’u ofrojë mbrojtje gjatë ushtrimit të detyrës. Porse këtë kërkesë të tyre e ka kualifikuar si të çuditshme dhe jorealiste gazetari britanik, Vaughan Smith, që pati raportuar nga lufta në Kosovë dhe ajo në Bosnjë-Hercegovinë
Siguri gjatë raportimit nga situata të krizave kanë kërkuar gazetarët, që ishin cak i sulmeve nga grupe të protestuesve serbë në veri.
Në raportimin para Komisionit Parlamentar për Media, ata i shpalosën përvojat mbi sfidat e kryerjes së detyrës së tyre nga Zveçani, Zubin-Potoku e Leposaviqi, komuna këto ku javëve të fundit pati tensione, shkaku i pakënaqësisë së serbëve lokalë për vendosjen e kryetarëve të rinj në objekte komunale.
Gazetari, Pleurat Salihu, rrëfeu para anëtarëve të Komisionit se si u bë cak i protestuesve të maskuar serbë në Leposaviq, të premten e shkuar.
“Qaty e kom marr edhe një goditje tjetër dhe kur e kam parë Njësinë Speciale, iu kam drejtuar a keni Zot a mund të na ndihmoni se po duan të na mbysin”, ka thënë Salihu.
Gazetarë të tjerë, që atë të premte u përballën me sulme, e shprehën vërejtjen se nuk kanë pasur kurrfarë mbrojtjeje.
“Ne jemi të pozicionuar brenda rrezikut pa asnjë lloj mbrojtje... Të mendohet për mundësitë e krijimit të kushteve për gazetarët, sepse ne po duam ta përmbushim punën tonë për Kosovën tonë”, ka thënë Venera Xhoxhaj, gazetare në RTK.
Liridon Llozani, nga RTV Dukagjini, e shprehu qëndrimin se Policia duhet ta bëjë punën e saj në hetimin dhe kapjen e sulmuesve, teksa shtoi se gazetarëve duhet t’u jepet hapësirë për ta ushtruar profesionin, pavarësisht rreziqeve.
Por gazetari britanik, Vaughan Smith, i cili ka raportuar nga disa vatra të luftës, përfshirë ajo në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, shprehu befasinë për kërkesën që gazetarëve t’u garantohet mbrojtja gjatë raportimeve.
“Mendoj se, normalisht, gazetarët duhet të jenë goxha të kënaqur nëse qeveritë nuk i rrahin e lëre më t’i mbrojnë. Mendoj se kjo është një ide e çuditshme dhe mendoj se nuk është realiste, si munden gazetarët të mbrohen në këtë mënyrë. Ajo çfarë më shqetëson është kur gazetari bëhet lajm, e atëherë, normalisht, diçka nuk shkon si duhet”, ka thënë Smith.
Ai theksoi se gjatë raportimit nga Prekazi më 1999, atij askush nuk i pati ofruar ndonjë mbrojtje.
“Unë e kujtoj, 25 vjet më parë, kush ishte aty të më mbronte mua gjatë xhirimeve në Prekaz? Askush nuk ishte aty për të më mbrojtur. Nëse nuk do ta xhiroja, storia nuk do të publikohej. Dhe, të gjithë gazetarët ndërkombëtarë që kishin ardhur për të punuar në Kosovë askush nuk i ka mbrojtur”, ka thënë Smith.
Më 16 qershor, protestues të maskuar serbë sulmuan gazetarët gjatë raportimit nga Leposaviqi, duke u shkaktuar disa prej tyre edhe lëndime trupore.