Arbëri

Gazetarët e KOHËS kujtojnë sulmet e NATO-s, momentin vendimtar të historisë së Kosovës

Valbona Mehmeti, si gazetare ka raportuar për shumë ngjarje të paraluftës në Kosovë.

Më 24 mars të 1999-s, kur NATO-ja vendosi t’i fillojë bombardimet për t’i dhënë fund krimeve të Slobodan Milosheviqit kundër shqiptarëve ajo dhe kolegët e saj në “Koha Ditore” ishin në punë deri pak orë para fillimit të bombardimeve.

Mehmeti tregon se puna si gazetare në atë kohë nuk dallon shumë nga kjo e ditëve të fundit, kur Kosova sikurse e gjithë bota po përballet me pandeminë e koronavirusit.

Korrespodenti i KOHËS në Bruksel, Augustin Palokaj, thotë se askush nga shtetet anëtare të NATO-s nuk e vë në dyshim veprimin e para 21 vjetëve, por shton se këto vende kanë paramenduar një Kosovë më ndryshe, më të zhvilluar dhe më unike.

Përderisa ndërhyrja e NATO-s erdhi pas dështimit të Marrëveshjes së Rambujesë.

Kjo marrëveshje ishte propozuar për paqe mes Republikës Federale të ish-Jugosllavisë dhe delegacionit të shqiptarëve të Kosovës.

Megjithatë, Jugosllavia e refuzoi atë dhe NATO-ja nisi ndërhyrjen ushtarake.

Këto bombardime zgjatën 78 ditë, e të cilat ishin shpresa e vetme e shqiptarëve për çlirim.

Forcat serbe gjatë luftës në Kosovë vranë e masakruan shumë shqiptarë, e duke dëbuar nga shtëpitë e tyre mijëra të tjerë.

147 gra, fëmijë e burra u masakruan më 28 mars 1999 në fshatin Izbicë të Skenderajt.

Në marsin e ’99, 240 persona u vranë në Krushë të Vogël të Rahovecit.

Më 5 prill, në fshatin Rezallë të Skenderajt u masakruan 98 shqiptarë.

99 të burgosur politikë u vranë në Burgun e Dubravës, në maj të ’99-s.

Në Meje të Gjakovës u vranë 372 civilë shqiptarë.

Pas një lufte dyvjeçare ndërmjet forcave policore serbe dhe UÇK-së, vrasjes së rreth 13 mijë shqiptarëve, dëbimin e rreth 1 milion të tjerëve, më 12 qershor 1999 zbarkuan trupat e para të këmbësorisë së NATO-s.