Njëzet e tetë vjet pas themelimit të së përditshmes “KOHA Ditore”, njohës të fushës së medias e ish-gazetarë të këtij mediumi, thonë se ajo pati dhe ka rol të madh në informimin e drejtë të qytetarëve. Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e grupit “KOHA” tha se etika e profesionalizmi vazhdojnë të jenë shtylla të kësaj gazete, që për 23 vjet rresht doli në versionin e shtypur, ndërsa pesë vjetët e fundit vetëm në versionin online
Janë bërë 28 vjet qëkur “KOHA Ditore” doli me numrin e parë si gazetë e përditshme. Nga 31 marsi i vitit 1997 e deri në këtë përvjetor, janë botuar 9957 edicione.
Njohës të mediave vlerësojnë se kjo gazetë nisi misionin e saj në një kohë kur populli i Kosovës po përballej me terr informativ si pasojë e politikës shtypëse e diskriminuese të regjimit të Beogradit.
Rrahman Paçarizi, profesor universitar dhe ish-gazetar, tha se meritat e “Kohës Ditore” për informim të drejtë, janë të mëdha.
“Përveç se ndihmoi në informim ka bërë një punë të jashtëzakonshme në përgatitjen e kuadrove të reja të gazetarisë, me metodologjinë që ka përdorur për t’i përgatitur gazetarët, duke i bërë pjesë e informimit të mediave ndërkombëtare, të cilat qëndronin në Kosovë e të cilat referencë kryesore e kishin pothuajse gazetën “Koha Ditore”... Edhe sot gazetarët më të mirë të Kosovës që punojnë për mediat ndërkombëtare janë produkt i të përditshmes së atëhershme “Koha Ditore”, ka thënë Paçarizi.
Profesori tjetër universitar Bardh Rugova, që iu bashkua ekipit të “Kohës Ditore” diku një vit pas themelimit të saj, u shpreh se kjo gazetë dallohet për guximin dhe profesionalizmin e saj.
“Ishte një medium i përgjegjësisë sociale. Një medium në të cilin përveç që shprehnim lirshëm mendimet, ishim edhe të përgjegjshëm për atë që e shprehnim. Mbaj mend në njërin prej rasteve erdhi dikush prej distribuerëve, të shoferëve që kishte distribuar gazetën dhe e kishin rrahur për një shkrim që e kisha bërë unë dhe po më ankohej se sherri yt më rrahën”, ka treguar Rugova.
E Brikenda Rexhepi, kryeredaktore e grupit KOHA, theksoi se ky medium vazhdon të ketë në rend të parë besueshmërinë e publikut.
“Ne u patëm mësuar që gjërat t’i shohim me një sy më objektiv dhe të mbajmë distancën nga ajo që po raportojmë, dhe kjo na ka përcjell gjatë gjithë kohës, edhe pasluftës edhe tani që mbase mund të them se është edhe më e vështirë”, ka theksuar Rexhepi.
Lexuesit e Kohës Ditore i kujtojnë me nostalgji mbi 20 vite të “KOHËS Ditore” në versionin e shtypur. Cen Desku, njëri nga ta, thotë se vazhdon ta lexojë ende gazetën që tash del në versionin online.
“Koha Ditore ka qenë gazetë e pasur, me gazetarë të njohur, e cila ka informuar për opinionet dhe ngjarjet në Kosovë dhe në të gjithë botën. Na mungon kjo gazetë e gazeta të tjera”, ka thënë Desku.
“KOHA Ditore” ishte e para dhe e vetmja që në vitet 90 i kundërvihej njëmendësisë e propagandës. U bë burimi i parë i shqiptarëve gjatë luftës e adresa kryesore e botës për t’u informuar se çfarë po ndodhte realisht në Kosovë.
Raportimet e gazetës u përdorën nga diplomatët e huaj në bisedime me pushtetin e atëhershëm të Jugosllavisë. Më 9 mars 1998, emisari special i SHBA-së për Kosovën, Robert Gelbard, ia nxori Slobodan Milosheviqit para hundëve fotografitë e masakrës në Prekaz, të shkrepura nga “Koha Ditore”. Po ia faktonte se si forcat e tij në fushatën ndëshkimore vranë në Prekaz gati 60 shqiptarë, në mesin e të cilëve edhe 12 fëmijë, 13 gra dhe pesë pleq. E vërteta e dokumentuar nga gazetarët e fotoreporterët e “Kohës Ditore” nga vatrat e luftës po sfidonte veprimet antishqiptare të regjimit të Beogradit e edhe heshtjen e bashkësisë ndërkombëtare.
Më 20 mars 1999, presidenti i tanishëm i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, atëkohë ministër i Informacionit të Millosheviqit, urdhëroi mbylljen dhe gjobitjen e gazetës. Gazeta nuk u zmbraps. Në mëngjesin e 24 marsit, “Koha Ditore”, përmes një shkrimi në ballinë, i bëri thirrje aleancës më të madhe ushtarake në botë: “NATO Air Just do it”.
Në mbrëmje do të përflakej qielli i Kosovës nga bombat që si asnjëherë tjetër në histori treguan se bota perëndimore e demokratike ishte në krah të shqiptarëve, në emër të së drejtës humanitare. Në redaksi po punohej nën jehonën e bombave. Por gazeta të nesërmen nuk u botua për shkak se u thyen zyrat e gazetës nga policia serbe, e cila edhe e vrau rojtarin e redaksisë së gazetës, Rexhep Ramadani. Regjimi serb nuk u ndal me kaq, e dogji deri në themel edhe shtypshkronjën “KOHA Print”.
Gazeta e vazhdoi botimin një muaj më vonë nga një zyre e vogël në Tetovë të Maqedonisë, ku u mblodhën anëtarët e stafit, tashmë refugjatë.
Pas lufte gazeta vazhdoi misionin e nisur për informimin e shpejtë e të drejtë të publikut. Nga lexuesit, ekspertët e mediave e edhe të institucioneve ndërkombëtare u vlerësua përherë si mediumi me i besueshëm dhe profesional.
Gazeta “Koha Ditore”, për arsye objektive ndaloi së shtypuri fizikisht më 2020, pas shpërthimit të pandemisë COVID-19. Nga atëherë botohet në versionin online.