Arbëri

Në Pejë, gati gjysma e fëmijëve deri 7 vjeç s’i kanë marrë vaksinat e rregullta

Vaksinimi i rregullt i fëmijëve ka stagnuar në Komunën e Pejës, që nga shfaqja e pandemisë. Në qendrën kryesore të vaksinimit tregojnë se gati gjysma e fëmijëve deri në shtatë vjeç nuk i kanë marrë vaksinat e rregullta me të cilat imunizohen fëmijët e kësaj grupmoshe

Të gjitha pikat për vaksinimin e rregullt të fëmijëve kanë funksionuar në Pejë gjatë tërë periudhës së pandemisë, me përjashtim të një muaji vitin e kaluar, kur u mbyll gjithçka në kuadër të masave antiCovid.

Megjithatë, në këtë komunë, shumë prindër e kanë neglizhuar vaksinimin e rregullt të fëmijëve të tyre, sidomos të atyre të grupmoshës zero deri në 7 vjeç.

Shefi i Qendrës Kryesore të Vaksinimit në Pejë, Dukagjin Sahatçiu, tregon se gati gjysma e fëmijëve të kësaj grupmoshe nuk i kanë marrë të gjitha vaksinat e rregullta.

Sipas tij, shumë fëmijëve u ka kaluar data kur është dashur ta marrin vaksinën. Madje disave edhe një vit.

“Për vaksinim për grupmoshës zero deri në 7 vjeç, diku rreth 60 për qind është kryer e duhet të kryhen mbi 90 për qind që të jetë vaksinimi i suksesshëm. Do më thënë diku 40 për qind të fëmijëve të kësaj grupmoshe ende nuk janë vaksinuar”, ka deklaruar Sahatçiu.

Vaksinimi i kësaj kësaj grupmoshe, sipas Sahatçiut, është përgjegjësi e prindërve. Ai thotë se shumica hezitojnë, shkaku se i druhen Covidit, nëse vijnë në qendra mjekësore për vaksinim.

Për të, kjo është e pakuptueshme, pasi qendrat dhe personeli për vaksinimin e rregullt të fëmijëve nuk janë të përziera me qendrën e as personelin e vaksinimit kundër Covid-19.

Sahatçiu flet rreziqet që ngërthen mosmarrja e vaksinave të rregullta, sidomos ajo ndaj fruthit.

“Është shumë më infektiv dhe më kontagjen sesa Covidi mund të them. Edhe më i rrezikshëm”.

Për rëndësinë e vaksinimit flasin edhe prindërit, që të martën kishin ardhur t’i vaksinonin fëmijët e tyre.

“Fëmijët kanë vdekë prej sëmundjeve të ndryshme. Për mos me i marrë këto, tash ne po i mbrojmë fëmijët. Dhe nëse nuk vjen prindi me marrë një vaksinë për fëmijët e vet, e humb edhe fëmijën e vet në fakt”, ka thënë Mimoza Krasniqi-Pelaj nga Peja.

“Është e rrezikshme. Sot ky i ka mbushë dy muaj dhe e kam sjellë me vaksinu. Mendoj që çdo prind duhet me sjellë fëmijën e vet me vaksinu me kohë të duhur”, është shprehur Selman Gjocaj nga fshati Rashiq i Pejës

E në qendrën e vaksinimit, stafi mjekësor tashmë ka bërë rishikimin e kartotekës, ka verifikuar fëmijët që u ka kaluar data e marrjes së vaksinës dhe kanë filluar t’i kontaktojnë prindërit që t’i sjellin fëmijët për vaksinimin e rregullt.