Arbëri

Gati 900,000 qytetarë të regjistruar, serbët vazhdojnë të hezitojnë

Regjistrimi i popullsisë

Foto: Alban Bujari

Gati 900,000 qytetarë janë regjistruar brenda 24 ditëve në procesin e regjistrimit të popullsisë, ka njoftuar Agjencia e Statistikave të Kosovës

Ushtruesi i detyrës së Kryeshefit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës, Avni Kastrati, ka thënë se java që lamë pas ishte java me më së shumti qytetarë të regjistruar, duke shtuar se regjistruesit janë adaptuar me zonat e tyre.

“Jemi në ditën e 24 të punës në terren, shpresojmë të jemi në kohë deri më 17 maj, procesi i regjistrimit po shkon ashtu si është planifikuar, po funksionojnë të gjitha pajisjet, sistemi dhe regjistruesit janë aktivë sidomos në këtë javë ka regjistrim më të madh sesa e kemi paraparë. Kjo është për t’u përshëndetur. Regjistruesit janë adaptuar me zonat e tyre dhe qytetarët po pranojnë. S’kemi refuzime deri më tani, pos ndonjë familjare ose individuale, pretendojmë që të shkojmë për regjistrim disa herë...Regjistrimi është obligim dhe i rregulluar me ligj”, ka shtuar Kastrati.

Sipas tij, komuniteti serb po heziton të regjistrohet.

“Komuniteti serb ende heziton në mënyrë masive. Ne kemi pasur diskutim me disa institucione ndërkombëtare dhe ata do t’iu transmetohen, ata duhet ta dinë se është një e mirë për ta ditur numrin e tyre”, ka theksuar ai.