Në veri aktualisht operon vetëm operatori MTS (Mobilna Telefonija Srbije). Në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, MTS-ja është përkohësisht e autorizuar për të funksionuar në komunat me shumicë serbe dhe në zonat e kishave ortodokse. Kjo kompani përdor edhe prefiksin e Serbisë +381 dhe ka në shfrytëzim antenat, disa prej të cilave dyshohet se janë ilegale, ndryshe nga “Vala” dhe IPKO që e kanë të pamundur të shtrijnë infrastrukturën e tyre atje. Fajin për mossshtrirjen e valëve të telefonisë në veri, ish-anëtari i ekipit negociator për telefoninë, Gazmir Raci, ia faturon mungesës së vullnetit politik të palëve që ishin të angazhuara në bisedimet e Brukselit (Kosovës, Serbisë dhe BE-së)
Mbi 20 takime negociatore të realizuara ndërmjet viteve 2013-2016 dhe dy marrëveshje të nënshkruara në Bruksel mes Kosovës dhe Serbisë nuk i kanë dhënë zgjidhje kërkesës për shtrirje të plotë të shërbimit të telekomunikimit në veri – Vala dhe IPKO ende nuk mund të operojnë lirshëm atje.
Në veri aktualisht operon vetëm operatori MTS (Mobilna Telefonija Srbije). Në bazë të Marrëveshjes së Brukselit, MTS-ja është përkohësisht e autorizuar për të funksionuar në komunat me shumicë serbe dhe në zonat e kishave ortodokse. Kjo kompani në veri krahas +383 përdor edhe prefiksin e Serbisë +381. Në shfrytëzim ajo ka edhe antenat, disa prej të cilave dyshohet se janë ilegale, ndryshe nga “Vala” dhe IPKO që e kanë të pamundur të shtrijnë infrastrukturën e tyre atje.
Përpjekja e fundit për të depërtuar “Vala” dhe IPKO me shërbime atje është bërë më 2017, por pa sukses - infrastruktura e tyre është djegur e demoluar nga strukturat kriminale. Ky nuk ishte vetmi refuzim i autoriteteve paralele ndaj operimit të dy operatorëve të telefonisë mobile të Kosovës. Më 2004 janë djegur stacionet që “Vala” i kishte në Leposaviq dhe afër Liqenit të Ujmanit. Po atë vit, në Mitrovicë të Veriut ishte çmontuar një antenë, me kërkesë të pronarit të parcelës ku ishte vendosur ajo.
Fajin për mosshtrirjen e valëve të telefonisë në veri, ish-anëtari i ekipit negociator për telefoninë, Gazmir Raci, ia faturon mungesës së vullnetit politik të palëve që ishin të angazhuara në bisedimet e Brukselit.
“Arritja kryesore e marrëveshjes për telekomin ka qenë kodi telefonik 383, të cilin tashmë Kosova e ka në përdorim dhe se Kosova edhe në aspektin e sigurisë, edhe të ekonomisë është përfituese dhe është bartëse e atij kodi. Ne jemi të ndarë përfundimisht prej Serbisë. E dyta është që moszbatimi i elementeve të tjera të marrëveshjes është dështim i institucioneve të Kosovës dhe Serbisë, por natyrisht këtu edhe Bashkimi Evropian duhet ta shtyjë përpara zbatimin e këtyre elementeve të kësaj marrëveshjeje”, ka thënë Raci.
Sipas tij, operimi i dy operatorëve më të mëdhenj në vend ka rëndësi politike dhe lidhet edhe me sovranitetin e vendit.
“Te operatorët privatë është po ashtu çështje biznesi, varësisht se a kanë klientë apo konsumatorë në pjesën veriore, por për Kosovën politikisht është shumë e rëndësishme, sidomos që Telekomi i Kosovës ta ketë rrjetin e shtrirë edhe në pjesën veriore, sepse e merr edhe atë pjesë nën sovranitetin e Telekomit të Kosovës. Marrëveshja e Brukselit i ka ftuar dhe i ka obliguar palët që ta zgjidhin edhe këtë çështje duke krijuar qasje të lehtë në pjesën veriore edhe për Telekomin, por edhe për IPKO-n”, ka thënë ai.
Ndërsa Zyra e BE-së në Prishtinë, në përgjigjen e saj për KOHËN, ka thënë se nuk i komenton detajet e negociatave e as pozicionet e palëve, duke arsyetuar këtë me qëndrimin se BE-ja si lehtësues i dialogut është “ndërmjetës neutral”. Sipas BE-së, janë përmbushur elementet kryesore të marrëveshjes, si marrja e kodit nga Kosova paralelisht me dhënien e licencës për operatorin serb të telefonisë.
“Të dyja këto procese janë përmbushur. I vetmi element që nuk ka pajtim nga palët është harmonizimi i frekuencave dhe ne jemi të gatshëm t’i lehtësojmë negociatat dhe ta përmbyllim zbatimin e Marrëveshjes së Telekomit”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Shkatërrimi i antenave
Siguria përbën shqetësim për kompaninë IPKO, zyrtarët e së cilës thonë të mos jenë ende të bindur për qëndrueshmërinë e investimeve në veri.
“Pas dëmtimit të 10 stacioneve bazë që ishin në pjesën veriore të banuar me serbë, janë ndërtuar 4 stacione bazë të reja. Janë bërë përpjekje për të riaktivizuar të dëmtuarit, por nuk ka pasur garanci se nuk do të dëmtohen më”, ka thënë Afrika Zyferi, zyrtare për marrëdhënie me publikun në IPKO.
Por pavarësisht se dëmtimet në infrastrukturë kanë qenë të shpeshta, shtrirjen e rrjetit të “Valës” e të IPKO-s në veri teknikisht e vlerëson të mundshëm Autoriteti Rregullator për Komunikime Elektronike dhe Postare. Një prej mundësive, sipas drejtorit të Bordit të ARKEP-it, Nazim Rahimi, është përdorimi i infrastrukturës së përbashkët.
“Mundësitë e shtrirjes së rrjetit në atë pjesë janë të ndryshme për shfrytëzim të infrastrukturës së përbashkët e kështu me radhë, që nuk ka nevojë që dikush të vendosë rishtazi ndonjë antenë ose pirg, apo infrastrukturë tjetër përcjellëse, por mund të shfrytëzohet e njëjta infrastrukturë e cila është e vendosur; domethënë në të njëjtin pirg të kenë mundësi të vendosen antenat e të tre operatorëve. Domethënë janë këto alternativa dhe mundësi që sigurisht se mund të bëjnë një zgjidhje”, ka thënë Nazim Rahimi, kryetar i Bordit të ARKEP-it.
Ai ka treguar se MTS-së me marrëveshje i është lejuar numeracion i dyfishtë.
“Tek numeracioni i dhënë nga ARKEP-i, pra numeracioni 047xxx…, përdoret vetëm 383”, ka thënë Rahimi.
Marrëveshja për telekomunikacionin u arrit më 2013, e në bazë të saj u bë Plani i Veprimit (2015) dhe një dokument me konkluzionet. Përmes kësaj marrëveshjeje palët u dakorduan që Kosova të bëhej me kod telefonik (383), të ndalej operimi ilegal i operatorëve të Serbisë, dhe që një kompani re të regjistrohej në kornizën ligjore të Kosovës. Për marrëveshjen e ndërmjetësuar nga BE-ja palët u takun mbi 20 herë dhe u pajtuan edhe për mosinterferim të valëve në territorin e njëra-tjetrës, si dhe kushti me të cilin MTS-së i hiqet licenca nëpërmjet tenderit apo ankandit të realizuar në përputhje me standardet e BE-së. Marrëveshja bazë mban nënshkrimet e kryeministrit Hashim Thaçi, kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq, dhe ndërmjetësueses së BE-së, Catherine Ashton.
Ndërkaq lidhur me pikën e Marrëveshjes së Brukselit për Telekom që e bën të mundshëm shuarjen e MTS-së që e dominon tregun në veri, në ARKEP kanë thënë se po koordinohen me Ministrinë e Ekonomisë dhe me Qeverinë.
Marrëveshja e Brukselit parasheh që ARKEP-i t’i inkurajojë operatorët për t’u ndërlidhur mes vete, e edhe Ligji për komunikime elektronike i jep hapësirë Rregullatorit t’i detyrojë kompanitë në interkoneksion mes vete duke përmbushur parimet si transparenca e mosdiskriminimi ndaj operatorëve të tjerë.
“Autoriteti mund të imponojë detyrime për një operator që ka FNT (fuqi të ndjeshme në treg v.j.) në tregun përkatës për t’i plotësuar kërkesat e arsyeshme të ndërmarrësve të tjerë për qasje dhe përdorim të elementeve të veçanta të rrjetit dhe të fasciliteteve shoqëruese...”, shkruhet, ndër të tjera, në nenin 36 të këtij ligji, që sqaron detyrimin për krijim të qasjes dhe interkoneksionit.
Bashkëpunimin që ka përmendur drejtori i Bordit të ARKEP-it e sheh të realizueshëm edhe drejtori i MTS-së, Dejan Ognjanoviq. Por, sipas tij, kjo do të kishte kuptim nëse MTS-ja merr licencë të përhershme, nëse bashkëpunimi është i bazuar në parim të reciprocitetit dhe nuk i rrezikon shërbimet aktuale dhe operatorët që mirëmbajnë infrastrukturën.
‘MTS d.o.o., që është e pajisur me licencë të përkohshme për telefoni mobile, e kufizuar në stacionet ekzistuese, kjo gjë s’ka kuptim. Pas sigurimit të një licence të përhershme, të pakufizuar për nga territori, ne do ta konsiderojmë seriozisht këtë opsion të bashkëpunimit me operatorët e tjerë”, ka shkruar Ognjanoviq në përgjigjen e tij për KOHËN.
Marrëveshja e Brukselit për telekomunikacion parasheh që MTS-së mund t’i hiqet licenca kur institucionet e Kosovës të hapin tender për futjen e një operatori të ri në treg.
“Asgjë nuk mund të parashikohet ose të paragjykojmë se si do të rrjedhë ky proces. Procesi duhet të ndiqet, ashtu siç është paraparë në Marrëveshjen e Brukeslit, në përputhje me rregullativën dhe direktivat e BE-së nëse eventualisht hapet ndonjë tender për operatorin e tretë. Por, megjithatë, në këtë vend politikëbërës janë ministritë dhe Qeveria, ndërsa ne jemi zbatues të tyre”, ka thënë kryetari i Bordit të Autoritetit Rregullativ të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Nazim Rahimi.
E pritshmëritë e MTS-së, sipas drejtorit të saj Ognjanoviq, janë krejt të kundërta.
Pavarësisht se në marrëveshje parashihet tender ose ankand me standarde evropiane, Ognjanoviq shprehet i bindur se fituese përfundimtare do të dilte MTS-ja.
“MTS-ja ka licencë të përkohshme për telefoni mobile, valide deri te shpallja e përfundimi i procesit të tenderimit ose ankandit për licencën e tretë. Në këtë tender/ankand, MTS-ja do të marrë licencë të përhershme, gjë që është valide për të gjithë territorin”, është shprehur Ognjanoviq.
Por sipas Gazmir Racit, që ishte pjesë e ekipit të dialogut për telefoninë, e ku u bënë 22 takime negociatore mes Kosovës e Serbinë, MTS-ja nuk është fituese e domosdoshme e tenderit ose ankandit.
“Marrëveshja për telekomin është shumë e qartë. Ata tashmë kanë licencë për veprim në pjesën veriore (dhe në komuna të tjera me shumicë serbe dhe në zonat e kishave ortodokse v.j.) derisa hapet tregu për një operator të tretë. Në momentin kur tregu i Kosovës hapet për një operator të tretë të telefonisë mobile, atëherë ata kanë mundësi, kanë të drejtë për të aplikuar për shkak se është treg i lirë, treg konkurrues, por nuk domethënë dhe këtë nuk ia garanton Marrëveshja e Brukselit që ata mund të jenë operatori i tretë”, ka thënë Raci.
“Vala” me vetëm një stacion
Negocimi e ndërlidhja në mes të operatorëve vendorë me MTS-në ishte paraparë të përfundonin më 2016, por kjo pikë e Marrëveshjes nuk është zbatuar. Mosndërlidhja e operatorëve mes vete, krahas mungesës së infrastrukturës, shkakton mungesën e valëve telefonike në veri.
Nga operatori privat IPKO kanë treguar se kjo kompani s’ka marrëveshje interkoneksioni me MTS-në, por lidhet përmes stacionit të vetëm bazë që e ka “Vala” në veri, stacion ky i pamjaftueshëm për ta mbuluar të gjithë territorin mbi Ibër.
“Në këtë rast IPKO-ja nuk ka kontratë të nënshkruar për interkoneksion dhe as roaming nacional me MTS-në. Trafiku nga shfrytëzuesit e MTS-së arrin në IPKO, por kjo nuk bëhet me marrëveshje direkte, por përmes transitit drejt Telekomit të Kosovës, me të cilin IPKO-ja ka marrëveshje direkte për interkoneksion”, ka thënë Afrika Zyferi.
Kompania publike “Vala”, që është pjesë e Telekomit të Kosovës, dhe MTS-ja, degë e Telekomit të Serbisë, kanë marrëveshje të interkoneksionit.
“Marrëveshja parasheh interkoneksion për shërbimet e zërit. Fizikisht ndërlidhja funksionon përmes fibrit optik, te pika e Telekomit prezente në Mitrovicë dhe kjo është e vetmja ndërlidhje me këtë operator. Instalime shtesë në antenat e tyre nuk ka, në kuptimin e telefonisë mobile, nëse për këtë janë menduar antenat”, ka konfirmuar Telekomi i Kosovës.
Sipas këtij operatori, me investime të reja do të jenë të gatshëm për shtrirje të rrjetit të tyre në të gjithë territorin.
“Telekomi ka nisur një projekt të madh dhe kompleks investimesh, që ka të bëjë me modernizimin dhe ngritjen e kapaciteteve të infrastrukturës telekomunikuese. Pra, po, Telekomi do të jetë i gatshëm shpejt të fillojë investimet e pezulluara tash e sa vjet”, thuhet në përgjigjen e Telekomit të Kosovës.
Nga operatori privat IPKO kanë treguar se kjo kompani s’ka marrëveshje interkoneksioni me MTS-në, por lidhet përmes stacionit të vetëm bazë që e ka “Vala” në veri, stacion ky i pamjaftueshëm për ta mbuluar të gjithë territorin mbi Ibër.
Të pyetur nëse kanë bërë matje ose studim të ndërlidhjes mes “Valës” e MTS-së, ARKEP-i ka thënë se është shumë herët për të dhënë rezultate konkrete pa përfunduar matjet.
E Zyra e BE-së në Prishtinë në përgjigje për KOHËN përgjegjësinë për interkoneksionin ua ka hedhur Rregullatorit dhe kompanive të telefonisë. Sipas BE-së, marrëveshja për Telekomin kërkon që këta rregullatorë ta inkurajojnë dhe lehtësojnë procesin e arritjes së marrëveshjeve të interkoneksionit të të dyja palëve në këndvështrimin e uljes së kostove për qytetarët.
“Se sa është realizuar kjo ka të bëjë me rregullatorët e operatorët, gjë që s’bie në përgjegjësinë e BE-së si lehtësuese. Sidoqoftë, BE-ja mbështet dhe mirëpret të gjitha aktivitetet që nxisin lidhshmëri (konektivitet) në rajon dhe që sjellin përfitime të prekshme për qytetarët e bizneset në frymën e Marrëveshjes së 2019-s për romingun rajonal”, thuhet në përgjigjen e Zyrës së BE-së në Kosovë.
MTS-ja e interesuar për romingun e brendshëm, ARKEP-i thotë se është e ndaluar
Një formë tjetër e ndërlidhjes së operatorëve është edhe romingu vendor, për të cilin s’ka nevojë për shtrirje të infrastrukturës në veri. MTS-ja është shprehur në përkrahje të këtij opsioni.
“Po të ketë nevojë teknike apo komerciale ne jemi të gatshëm ta konsiderojmë një marrëveshje të ngjashme me IPKO-n. E sa i përket romingut nacional jemi jashtëzakonisht të interesuar. Besojmë se arritja e një marrëveshjeje të tillë në mes nesh dhe dy operatorëve liderë të shërbimeve të telefonisë (IPKO dhe/ose Vala) do të kishte përfitim të ndërsjellë si për kompanitë, ashtu edhe për përdoruesit e shërbimeve të telefonisë mobile të të dyja kompanive”, ka shkruar në një përgjigje për KOHËN drejtori i MTS-së, Dejan Ognjanoviq.
E drejtori i ARKEP-it ka thënë se do ta shqyrtojnë këtë formë, por ka thënë se i druhen thyerjes së standardeve ndërkombëtare që e ndalojnë romingun e përhershëm.
“Unë jam për alternativat dhe mundësitë që ofrojnë zgjidhje, por për çështjen e romingut me të vërtetë ne do të duhej ta shqyrtonim dhe të shihen mundësitë pa u dëmtuar procesi i romingut (duke krijuar) të përhershëm që të dëmtohen operatorët. Roming permanent është kur një klient i një operatori qëndron më gjatë sesa duhet ose i shfrytëzon më shumë sesa duhet valët e operatorit të njëjtë kur e ka mundësinë që t’i shfrytëzojë valët e një operatori tjetër”, ka thënë Rahimi.
Sipas shefit të Bordit të ARKEP-it, ndalesë për romingun e brendshëm krijojnë edhe Rregullorja e këtij institucioni, si dhe Udhëzuesi për operatorët për rregullim të tarifave të roamingut të Kosovës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor.
“Operatorët mobilë duhet të ndërmarrin të gjitha masat për të pamundësuar inkuadrimin e parapaguesve të rrjetit tjetër. Në veçanti duhet të evitohet lidhja e parapaguesve të ndërmarrjes me autorizim të përkohshëm MTS d.o.o. në rrjetin e MNO-ve (operatorëve të telefonisë v.j.) të autorizuar për ofrimin e shërbimeve në Republikën e Kosovës”, shkruhet, ndër të tjera, në Udhëzues.
E pazbatuar ka mbetur edhe pjesa e Marrëveshjes së telefonisë ku parashihen grupet teknike zbatuese dhe bashkëpunimi i rregullatorëve në çështjet siç është mosdepërtimi i ndërsjellë për nga frekuencat valore. Sipas ARKEP-it, komunikimi me Rregullatorin e telefonisë së Serbisë nuk ekziston e as grupi zbatues i marrëveshjes. Kjo e bën të mundshme dhe depërtueshmërinë e valëve të internetit, telefonisë e televizioneve të Serbisë. Sipas Rregullatorit, ankesat u janë përcjellë instancave të tjera.
Jombështetëse për romingun e brendshëm si alternativë është edhe kompania “Vala” që është thirrur në praktikat e vendeve të tjera.
“Romingu kombëtar nuk është menduar si opsion, nuk është as praktikë në rajon e Evropë. Mënyra më e mirë është krijimi i kushteve për mbulim me valë përmes shtrirjes së rrjetit të ‘Valës’ në të gjithë territorin e Kosovës”, shkruhet në përgjigjen e saj.
Depërtimi i valëve të internetit, të telefonisë e televizioneve të Serbisë
Derisa përgjegjësinë e ka hedhur te Qeveria lidhur me hapjen e një tenderi të ri për operator të ri të telefonisë, drejtori i ARKEP-it, Nazim Rahimi, është shprehur më optimist për hapjen e brezave të rinj frekuencorë - tender ose ankand për blerje të një spektri të ri e më të gjerë të frekuencave që nuk janë në përdorim. Këtë Rahimi e ka ndërlidhur me mundësinë e futjes së operatorëve të tjerë në treg.
“Tash a do të vijë një operator që do ta blejë infrastrukturën e një operatori tjetër e kështu me radhë, ajo çështje është diçka që unë nuk mund të jap sqarime konkrete”, ka thënë ai.
E pazbatuar ka mbetur edhe pjesa e Marrëveshjes së telefonisë ku parashihen grupet teknike zbatuese dhe bashkëpunimi i rregullatorëve në çështjet siç është mosdepërtimi i ndërsjellë për nga frekuencat valore. Sipas ARKEP-it, komunikimi me Rregullatorin e telefonisë së Serbisë nuk ekziston e as grupi zbatues i marrëveshjes. Kjo e bën të mundshme dhe depërtueshmërinë e valëve të internetit, telefonisë e televizioneve të Serbisë. Sipas Rregullatorit, ankesat u janë përcjellë instancave të tjera.
“Qeverisë dhe BE-së ua kemi ngritur këtë shqetësim, ata e kanë përcjellë te pala tjetër dhe nuk kemi marrë ndonjë përgjigje. Domethënë këtu përfundon kjo, nuk kemi komunikim direkt”, ka thënë Rahimi.
Në Ministri kanë thënë se pyetjeve rreth kësaj çështjeje i takon t’u përgjigjet ARKEP-i, e Qeveria nuk u është përgjigjur pyetjeve të KOHËS lidhur me shtrirjen e valëve të operatorëve vendorë dhe zbatimin e marrëveshjes me Serbinë.
Përmes marrëveshjeve të Brukselit të vitit 2013 dhe 2015 për telefoninë, Kosova e mori kodin telefonik të saj nga Unioni Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU). Për kodin për Kosovën pati aplikuar Austria, gjë që ishte paraparë në Marrëveshjen e lehtësuar nga BE-ja.
Serbia e ka zvarritur ndarjen e kodit për Kosovën deri në vitin 2016.
Por, edhe përdorimi i tij nuk ka gjetur mjaftueshëm zbatim. Sipas përfaqësuesve të ARKEP-it, “Vala” gjobitet me 5000 euro në muaj për mosimplementim të plotë të kodit të ri telefonik.
Autoritetet e Kosovës, jo vetëm në sektorin e telekomunikacionit kanë dështuar të ushtrojnë pushtetin në veri. Banorët e katër komunave furnizohen me energji, por nuk paguajnë faturat. Qeveria është e obliguar të ndajë çdo vit nga afro 10 milionë euro nga buxheti i saj për të kompensuar humbjet e kompanisë që bën furnizimin e asaj pjese me energji.