Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi, ka mohuar akuzat e deputetit të VV-së, Gazmend Gjyshinca se ai dhe deputeti Kujtim Shala e kanë goditur fizikisht atë.
Ai ka thënë se për të provuar këtë mund t’i përdorin të gjitha kamerat e korridorit të Kuvendit.
“Sot ka pasur një mbledhje të komisionit për Politike të Jashtme, mbledhja ka qenë e tensionuar. Ne si deputetë të LDK-së nuk jemi përfshirë në këto debate, jam mundu me ndihmu kryetaren e komisionit me vendosë rregull. Pastaj ka pasur diskutim me nënkryetarin e Kuvendit, ai ka filluar me ofendime ndaj deputetit Shala dhe kryetarja ka kërkuar që të ndërpritet mbledhja”, ka thënë ai.
Gashi ka thënë se në korridor, Gjyshinca e Pacolli shfaqën gjuhë agresive, derisa shton se ai dhe Shala u larguan nga aty.
“Është një flluskë që po ngritët nga VV-ja paarsyeshëm dhe po dëmton reputacionin e Kuvendit”, ka thënë ai.
Edhe deputeti Kujtim Shala e ka mohuar të ketë ndodhur një gjë e tillë.
“Askush askënd as fizikisht dhe as verbalisht”, ka thënë ai.
Edhe ai ka kërkuar që të zbardhen xhirimet.
“Do të thotë, i gjithë rasti nuk ekziston dhe kjo do të dëshmohet. Ambientet e Kuvendit që të gjitha monitorohen dhe xhirimet do të dëshmojnë gjithçka”, ka thënë ai.
Gjyshinca: Kam marrë lëndime fizike, rastin e kam paraqitur në Polici