Votimi për shkarkim të kryetarëve në veri

Gashi: KQZ-ja ende s’ka vendosur se ku do të numërohen fletëvotimet e 21 prillit

Anëtari i Komisionit Qendror Zgjedhor (KQZ) nga radhët e PDK-së, Ilir Gashi, ka thënë se KQZ-ja ende nuk ka vendosur se ku do të bëhet numërimi i fletëvotimeve, nga votimi për shkarkim të kryetarëve në katër komunat veriore që do të mbahet më 21 prill. 

“Këtë do ta vendosim. Nuk e kemi vendosur ende, për faktin se nuk e dimë si shkon procesi, nëse do të ketë mjaftueshëm kushte për ta zhvilluar numërimin në qendra komunale siç e parasheh ligji. Nëse nuk ka kushte, të sigurisë sidomos, atëherë do të vendosim me një vendim të tërheqim materialin e t’i numërojmë në qendrat e numrimit të rezultateve”, tha Gashi në “60 Minuta” të KTV-së. 

Gashi ka thënë se PDK-ja gjithmonë e ka konsideruar antiligjore dhe antikushtetuese Udhëzimin Administrativ të nxjerrë nga Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) për iniciativën për shkarkimin e kreytarëve të komunave. 

“Realisht ne kemi qenë kundër një udhëzimi administrativ të nxjerrë nga Ministria, kemi konsideruar se udhëzimi është antiligjor e antikushtetues. Konsideruam se ishte i padrejtë. Në tërë këtë proces kemi abstenuar, kemi konsideruar se forma që është përcjellë s’ka qenë ligjore e kushtetuese. Ndoshta është dashur të bëhen edhe këta hapa, që i kemi vlerësuar antikushtetues, për t’i dhënë mundësi Listës Serbe dhe qytetarëve të jenë pjesë e procesit, e në fund Lista Serbe prapë e bojkoton procesin. Koha po tregon se ishte formë e gabuar, antiligjore e antikushtetuese”, ka thënë Gashi. 

Sa i përket nëse pret ndonjë përshkallëzim, ai ka thënë se “nuk ka indice për eskalim të situatës”. 

E sa i përket asaj nëse dështon kjo iniciativë për shkarkimin e kryetarëve, Gashi ka thënë se bazuar në UA nuk mund të bëhet më një kërkesë e tillë për një vit. 

“Rrjedhimisht pas një viti i futemi procesit të rregullt ku duhet të shpallen zgjedhjet e rregullta për kryetarë komunash në fundvitin e ardhshëm”, tha Gashi. 

Anëtari i KQZ-së nga radhët e PDK-së ka folur edhe për vendosjen e kamerave në qendra të votimit. 

“Ligji i miratuar në qershor të vitit të kaluar mbi zgjedhjet, ka paraparë transparencë më të madhe në vendvotime sa i përket proceseve elektorale. Mbi këtë kemi qenë të detyruar të nxjerrim rregullat tona të brendshme zgjedhore e ato e kanë paraparë që në vendvotime të jenë kamerat vëzhguese që kanë ardhur si rezultat i proceseve në të kaluarën. Edhe vetë kam pasur dilema nëse cenohet privatësia e qytetarëve, qoftë ata që punojnë qoftë ata që votojnë. Por, duke konsultuar Agjencinë e Privatësisë e institucionet tjera kemi hartuar rregulla të brendshme. Kamerat do të përdorën jo vetëm në këto zgjedhje në katër komunat veriore, por edhe zgjedhje tjera”, ka thënë Gashi.