Arbëri

Gashi: Komunat e reja duhet të jenë nevojë e qytetarëve, jo pazare politike

Valmir Gashi

Drejtori ekzekutiv i Institutit Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI), Valmir Gashi, ka thënë se krijimi i komunave të reja në Kosovë duhet të bazohet në nevojat reale të qytetarëve dhe jo të shërbejë si mjet për kalkulime politike.

Në një shkrim në Facebook të enjten, Gashi ka komentuar diskutimet e fundit për themelimin e një komune të re.

“Komunat e reja duhet të jenë nevojë e qytetarëve, jo pazare politike! Kanë kaluar 17 vite nga fillimi i procesit të decentralizimit dhe ende nuk është bërë një vlerësim i  ndikimit të tij në Kosovë. Megjithatë, tashmë po hapet sërish diskutimi për themelimin e një komune të re (dhe shume kërkesa tjera në pritje).  Krijimi i komunave të reja duhet të bazohet në nevojat reale të qytetarëve për shërbime më të mira dhe jo të shërbejë si mjet për kalkulime politike. Përpara se të diskutohet për krijimin e komunave të reja, institucionet duhet të kryejnë një analizë të thellë mbi efektet dhe funksionimin e procesit të decentralizimit në Kosovë”, ka shkruar Gashi.

Gashi ka thënë se Kosova s’duhet të lejojë që ndarja e re territoriale të bëhet pa një vlerësim të mirëfilltë dhe pa kritere të qarta.

“Kosova ka nevojë për institucione funksionale dhe shërbime më cilësore për të gjithë qytetarët. Prandaj, çdo vendim për themelimin e një komune të re duhet t’i paraprijë një analizë e thellë dhe profesionale”, ka përfunduar ai.

Çështja për komunë të re në Kosovë u aktualizua pasi deputetja Duda Balje ka kushtëzuar votën për qeverinë e re të Kosovës me krijimin e një komune të boshnjakëve.