Avokatja Fehmie Gashi-Bytyçi, derisa ka folur për vrasjen e ndodhur të dielën mbrëma në Prishtinë, ka thënë se në rastet kur ka pasur konflikte më herët mes palëve të përfshira, përfshihet edhe elementi i veprës penale “dashja”.
Sipas saj, kur ka elemente të kësaj vepre penale, ndëshkueshmëria është më e lartë.
Gashi-Bytyçi ka shtuar se organet kompetente duhet të bëjnë strategji se si të ketë ulje të numrit të rasteve të tilla.
“Vrasja ka ndodhur në lagjen ku jetoj unë. Krismat ishin të pandërprera dhe menduam se kishte dasmë diku. Nga përvoja thashë se këto janë krisma armësh. Ka pasur shumë shkrepje, kemi dalë instinktivisht dhe i kemi parë tre persona. Policia ka reaguar shumë shpejt. Të gjitha njësitet kanë ardhur shumë shpejt. Kjo tregon se nuk jemi të sigurt kudo. Lagjja ‘Aktash’ është lagje shumë e frekuentuar. Vrasjet tani janë bërë aq të shpeshta në Kosovë, janë bërë si një dukuri e zakonshme. Zakonisht kur ndodhin vrasjet, shigjetat drejtohen në drejtim të Policisë, Prokurorisë e Gjykatës në veçanti. Duhet të gjitha organet kompetente, të gjithë personat kompententë të ulen e të bëjnë një strategji se si të preventohet. Në këto rastet kur ka konflikte më herët, vjen në shprehje elementi i veprës penale ‘dashja’. Kur ka planifikim është edhe më i ndëshkueshëm”, ka thënë ajo.
Avokatja ka vlerësuar se ndëshkueshmëria për veprën penale “armëmbajtje pa leje” duhet të rritet.
“Në rastet e armëmbajtjes pa leje, ndëshkueshmëria duhet të rritet. Ka raste kur paguhet me gjobë”, ka deklaruar ajo.