Hapja e disa zonave të konfliktit në pjesë të ndryshme të botës ka rikthyer garën e shteteve për armë. Përjashtim nuk bën as Kosova, e cila në vitin e gjashtë të tranzicionit të ushtrisë porositi blerjen më të madhe të raketave antitank. Njohës të sigurisë thonë se pavarësisht garancisë që ofron NATO-ja për kufijtë e Kosovës, ngritja e kapaciteteve vetjake është domosdoshmëri e kohës
Anulimi i ndihmës financiare për Ukrainën mund të shpjerë në fitore të shpejtë të Rusisë dhe krizë të re në Ballkanin Perëndimor, është alarmi që dha këtë fillimvit presidenti i Shteteve të Bashkuara, Joe Biden.
E zyrtarë të tjerë, sikurse sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, e vlerësoi si shumë të brishtë situatën e sigurisë në Kosovë dhe Bosnjë-Hercegovinë, tek shprehu gatishmërinë për shtimin e mëtutjeshëm të pranisë së NATO-s.
Drojën e shtuan edhe liderë vendorë që denoncuan në vazhdimësi pozicionimin ushtarak të Serbisë në kufi me Kosovën, me rrezikun e nxitjes së një sulmi tjetër pas atij në Banjskë, më 24 shtator të vitit të kaluar.
Pas rastit “Banjska”, KFOR-i u përforcua me trupa nga Britania e Madhe, Gjermania e Turqia që shtruan patrullimet në veri të vendit.
Njohës të sigurisë thonë se paralajmërimet e NATO-s për rrezikun e rikthimit të tensioneve në Kosovë janë reale dhe bazohen në zhvillimet në rajon. Edhe pse nuk e shohin të mundur përshkallëzimin drejt një lufte, nuk e përjashtojnë mundësinë që Serbia të tentojë që përmes strukturave të saj të shkaktojë incidente.
“Prioritet i NATO-s ka qenë dhe është reagimi ndaj krizave. Në këtë drejtim mbështetur në informacionet që kjo strukturë i ka, ka rritur aspektet e saj reaguese në Kosovë dhe rajon në përgjithësi. Këto deklarata vijnë si rezultat i tensioneve që mund të vijnë nga të ashtuquajturat veprime asimetrike jo të drejtpërdrejta për faktin se një ndërhyrje konvencionale realisht nuk është e mundur si rezultat i pranisë së forcave të NATO-s këtu, por reagime asimetrike mund të ketë. Ato mund të jenë përmes incidenteve që krijohen, aktiviteteve terroriste ku patëm rastin në Banjskë, pastaj aktiviteteve dezinformuese, sulmeve kibernetike dhe aktiviteteve diplomatike të cilat i përdor sidomos Serbia ndaj Kosovës për të penguar shtetndërtimin e saj dhe për të krijuar një situatë që në aspektin diplomatik do të fuqizonte pozitën e saj në marrëveshjen përfundimtare”, ka thënë njohës i sigurisë, Bejtush Gashi.
NATO-ja vitin e kaluar e përforcoi misionin e KFOR-it, që tani numëron rreth 4 mijë e 500 pjesëtarë.
Jamie Shea ka qenë zëdhënës i NATO-s në periudhën kur kjo aleancë bombardoi caqet ushtarake dhe policore serbe më 1999 për shkak të krimeve në Kosovë. 25 vjet më vonë ai thotë se vëmendja e NATO-s në rajonin e Ballkanit Perëndimor është shtuar për të mos lejuar rikthimin e konflikteve.
Në kontekstin e tanishëm ai ka listuar dy aspekte thelbësore për sigurinë e Kosovës.
“Nuk shoh rrezik për luftë, sinqerisht, por mund të ketë tensione që mund të përshkallëzojnë shpejt, siç kemi parë në të kaluarën. Komuniteti ndërkombëtar duhet të jetë syçelë. Por, dy gjëra i konsideroj me rëndësi këtu. Para së gjithash, KFOR-i duhet të ketë prezencë më të madhe në veri, të bashkëpunojë me forcat e sigurisë së Kosovës në kufij, ta kontrollojë efektivisht kufirin, të ndalë infiltrimin e grupeve paramilitare, armëve, eksplozivëve. Kjo është shumë e rëndësishme që t’i garantohet siguri Kosovës”, ka theksuar Shea.
Ai ka shtuar se operacioni si ai i Banjskës nuk duhet lejuar që të përsëritet.
“Gjëja e dytë ka të bëjë me atë se shumë liderë i kanë bërë thirrje Serbisë, përfshirë sekretari i përgjithshëm i NATO-s, ministri i Jashtëm britanik, Lord Cameron - që ta hetojë incidentin në Banjskë - kush i pagoi ata njerëz, kush i furnizoi me gjithë atë armatim, kush i trajnoi, si u futën në Kosovë. Serbia duhet t’i hetojë plotësisht dhe t’i arrestojë përgjegjësit dhe këtë ta bëjë publikisht, jo në mënyrë të fshehtë”, është shprehur Shea.

Forcimi i kapaciteteve vetjake
Veç kërkesës që NATO-ja ta shtojë fokusin në mbrojtjen e kufijve të Kosovës, prioritet për Qeverinë e Kosovës është forcimi i kapaciteteve vetjake. Procesi i transformimit të FSK-së në ushtri tashmë ka hyrë në vitin e gjashtë të planit dhjetëvjeçar.
Sipas Planit Gjithëpërfshirës të Tranzicionit, përgjegjësitë e reja të FSK-së përfshijnë ruajtjen e sovranitetit e integritetit territorial, ofrimin e mbështetjes ushtarake për autoritetet civile dhe pjesëmarrjen në operacione ndërkombëtare.
Në funksion të rritjes së kapaciteteve mbrojtëse, Qeveria pret që këtë vit ta bëjë blerjen më të madhe në armatim. “Javelin”, raketa që u bë e njohur në luftën mbrojtëse të Ukrainës kundër Rusisë, së shpejti mund të vijë edhe në Kosovë. Më 11 janar Departamenti Amerikan i Shtetit pranoi shitjen e mundshme të 246 raketave “Javelin” në vlerë rreth 75 milionë dollarë. Sistemi raketor që drejtohet automatikisht, rrallë e huq objektivin duke arritur distancën deri në 4.000 metra.
Kërkesa i është dërguar Kongresit Amerikan për ta çuar tutje kërkesën e institucioneve të Kosovës. Sipas deklaratës zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit, shitja e armëve në Kosovë mbështet qëllimet e politikës së jashtme dhe të sigurisë kombëtare të ShBA-së.
“Blerja e këtyre raketave është pjesë e konsolidimit të FSK-së në kuptimin e plotë të saj që është një proces i cili zgjat në disa faza, proces pesëvjeçar. Prandaj këto aranzhime për pajisje ushtarake, në rastin konkret aranzhimi i këtyre raketave, është një pjesë paraprakisht e planifikuar për konsolidim të FSK-së, në kuptimin që të jetë e gatshme për situata serioze kur atakohet siguria nacionale nga kushdo qoftë që ia mësyn, në rastin konkret mendohet në Serbinë, pasi ajo paraqet kërcënuesin permanent të sigurisë në Kosovë”, ka thënë njohësi i sigurisë, Fatmir Çollaku.
Kosova planifikon të blejë edhe sisteme kundërajrore e pajisje të tjera.
Bejtush Gashi, i cili ka qenë pjesë e ekipit drejtues për planifikimin e tranzicionit të FSK-së, thotë se faza e dytë 2021-2025 edhe mund të përshpejtohet si rezultat i zhvillimeve dhe sfidave me të cilat përballet sektori i sigurisë.
“Faza e dytë lidhet me mbështetjen e kësaj strukture, përkatësisht funksionalizmin e planifikimit në fushën e mbrojtjes me armatim personal dhe kolektiv, përkatësisht me sistemet e nevojshme që kjo strukturë ka. Dinamika e realizimit të kësaj faze shpresoj se do të jetë më e shkurtër sesa që është planifikuar. 2021-2025 ka qenë e planifikuar, kurse brenda këtij viti kalendarik me mjetet që janë ndarë, pastaj intensifikimi i trajnimeve të Forcës së Sigurisë së Kosovës, qoftë personelit ushtarak dhe atij drejtues - më bënë të shpresoj se kjo fazë të përmbyllet. Duhet të kalohet në fazën e tretë kur Forca e Sigurisë do të jetë plotësisht operacionale për t’i përmbushur kërkesat që ka mjedisi i sigurisë në fushën e mbrojtjes së integritetit dhe tërësisë territoriale”, ka deklaruar ish-zëvendësministri i Mbrojtjes, Gashi.
Mbështetëset kryesore në armatosjen e Kosovës janë Shtetet e Bashkuara, Turqia, Gjermania, Britania, Italia e Kroacia.
Në periudhën prej vitesh parashihet edhe rritja e numrit të këmbësorisë mbrojtëse të FSK-së, e cila do të përbëhet nga 5 mijë trupa aktive.
“Transformimi i FSK-së po shkon sipas fazave të dakorduara. Për këtë proces dëshmi janë ushtrimet e përbashkëta që bëhen shumë herë mes FSK-së dhe NATO-s, pastaj trajnimet e avancuara të pjesëtarëve të FSK-së në garat e ndryshme, ku shumë herë dalin me suksesin më të lartë të mundshëm”, shprehet Çollaku.
“Të gjithë këta janë një tregues se FSK-ja është duke u transformuar sipas planit dhe dinamikës së paraparë. Krejt këto përgatitje janë në harmoni dhe në mbikëqyrje të NATO-s, meqë çdo gjë në rajon nga ana ushtrive, qoftë në Bosnjë-Hercegovinë apo shtetet e tjera joanëtare të NATO-s që pretendojnë të integrohen në një të ardhme të afërt - janë duke realizuar transformimin në harmoni me standardet e tyre, nën monitorim të zyrtarëve dhe komisioneve nga ana e NATO-s”.

Kundërpërgjigjja e Serbisë, armatosja e rajonit
Si kundërpërgjigje ndaj Kosovës për blerjen e raketave antitank, Serbia përçoi mesazh që nuk i kontribuon paqes në rajon.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, paralajmëroi blerjen e armatimit në vlerë 740 milionë euro. Po ashtu, paralajmëroi se më 15 shkurt do të prezantojë sistem rus antidron “Repellent”.
Krahas armatimit, Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Serbisë inicioi edhe nismën për rikthimin e detyrimit ushtarak.
Serbia shpesh është kritikuar nga Perëndimi për blerjen e armëve të sofistikuara nga Kina e Rusia.
Jamie Shea thotë se i takon secilit vend të kontraktojë armatim, por angazhimet e Serbisë, sipas tij, shkojnë përtej nevojave që ka. Këtë e mbështet në faktin se ajo nuk rrezikohet prej askujt në Ballkan, aq më pak nga Kosova.
“Sa i përket Kosovës, duhet të jemi të sinqertë se ajo nuk është barabartë në armatim me Serbinë. Është një vend i ri, me popullsi dhe ekonomi më të vogël. Kështu që nuk mendoj se dikush mund të bëjë krahasime. ‘Javelinët’ janë armë mbrojtëse, nuk iu duhen për ta sulmuar dikë. Për aq kohë sa Kosova nuk sulmohet nga dikush, nuk do të ketë arsye për përdorimin e tyre. Kështu që mendoj se gjërat duhet t’i mbajmë proporcionalisht dhe Kosova si shtet sovran duhet të kujdeset për mbrojtjen e vet. Vendet si Shtetet e Bashkuara do të gjykojnë nëse është vendim i drejtë ose jo për t’i ofruar këto armë. SHBA-ja ka thënë se është legjitime që Kosova të furnizohet me armë të tilla dhe unë e preferoj atë gjykim”, ka potencuar Shea.
Me rrumbullakimin e arkitekturës së sigurisë, Kosova shpreson të bëhet anëtare e Aleancës Veriatlantike, e cila për momentin nuk ia njeh FSK-së mandatin e ushtrisë.
Paraprakisht vendi duhet të anëtarësohet në Partneritetin për Paqe, premtim ky qeveritar që nuk u përmbush vitin e kaluar.
Ish-zëri i NATO-s në vitet ‘90 shpreson që Kosova të anëtarësohet shpejt, teksa përmend pengesat aktuale në mbërritjen e këtij synimi.
“Për dikë që ka qenë thellë i përfshirë me Kosovën, prej vitit 1999, si vend normal demokratik evropian, Kosova do ta zërë vendin e saj në NATO dhe BE. Dhe sigurisht kjo shpresoj të ndodhë sa jam gjallë unë, shpresoj se do të ndodhë shumë shpejt. Deri të ndodhë janë disa çështje që duhen adresuar që lidhen me Bashkimin Evropian, por edhe me NATO-n. Para së gjithash, çështja e njohjes së Kosovës pasi kemi ende disa vende anëtare të BE-së dhe NATO-s, që zyrtarisht nuk e kanë njohur Kosovën”, ka theksuar Shea.
Ai është optimist për faktin se vende si Spanja nuk paraqitën problem kur erdhi puna te zbatimi i vendimeve të BE-së sikurse ai për liberalizimin e vizave.
“Mirëpres këtë lloj pragmatizmi. Po ashtu Kosova duhet të dëshmojë se është demokraci e fortë, me sundim të rendit e ligjit, luftim të korrupsionit, pra gjëra që kërkohen prej secilit vend që dëshiron të anëtarësohet në NATO”, thotë Shea.
E Bejtush Gashi ka treguar se kur FSK-ja do të mund ta zëvendësonte NATO-n në ofrimin e sigurisë.
“Tani pritjet janë që kjo strukturë të furnizohet me sistemet mbrojtëse që garantojnë se kjo strukturë është e aftë për të përmbushur misionin e saj kushtetues dhe ligjor. Megjithatë prania e NATO-s për të garantuar sigurinë jo vetëm në Kosovë, por edhe në rajon do të jetë e domosdoshme edhe pas përmbushjes së këtij kriteri nga ana e Forcës së Sigurisë së Kosovës. Kështu që paralel anëtarësimit shpresoj se misioni i NATO-s do të ketë nevojë që të jetë i pranishëm”, ka theksuar Gashi.
Për shkak të sfidave globale shumë shtete janë duke investuar në avancimin e sistemeve të armatimit, përfshirë anëtarët e NATO-s.
Dy helikopterë amerikanë “Black Hawk” së fundi iu shtuan arsenalit të Forcave të Armatosura të Shqipërisë. Edhe Kroacisë iu miratua kërkesa nga Departamenti Amerikan i Shtetit për t’i blerë tetë helikopterë “Black Hawk”.
NATO-ja përballë kërcënimit rus
Analiza të ndryshme ndërkombëtare flasin edhe për rrezikun e një lufte të tretë botërore, tek u referohen luftës Rusi-Ukrainë dhe situatës në Lindjen e Mesme.
Për t’iu përgjigjur sfidave të kohës, NATO-ja e nisi stërvitjen më të madhe ushtarake që nga Lufta e Ftohtë.
Rreth 90 mijë trupa të NATO-s janë planifikuar të bashkohen në stërvitjet që do të zgjasin deri në maj. Do të përfshihen më shumë se 50 anije, aeroplanmbajtëse, 80 aeroplanë luftarakë, helikopterë, dronë dhe të paktën 1.100 automjete luftarake.
NATO-ja nuk e përmendi Rusinë në deklaratën e saj për stërvitjen, por dokumenti i saj kryesor strategjik e identifikon Rusinë si kërcënimin më të madh për sigurinë e anëtarëve të NATO-s.
“NATO-ja është shumë e fokusuar në Rusi, Ukrainë, Evropën Juglindore, por nuk e ka harruar Ballkanin Perëndimor. NATO-ja është duke demonstruar se mund t’i bëjë dy gjëra në të njëjtën kohë. Ukraina është brenga e madhe, por NATO-ja është e përkushtuar për stabilitetin e Ballkanit Perëndimor. Nëse kërkohen trupa shtesë, ato do të sillen. Këtë e shoh si shenjë të mirë – ‘mos i largoni sytë prej topit’ - ky është mësimi”, ka thënë Jamie Shea.
Ndonëse Rusia ka pësuar humbje në Ukrainë dhe lufta atje po vazhdon, Kremlini mbetet një kërcënim serioz ushtarak për Evropën.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, paralajmëroi blerjen e armatimit në vlerë 740 milionë euro. Po ashtu, paralajmëroi se më 15 shkurt do të prezantojë sistem rus antidron “Repellent”