Garat e diturisë, të parapara të mbaheshin të shtunën nëpër shkollat e Kosovës, në shumë prej tyre nuk janë mbajtur.
Shumë shkolla në vend nuk kanë pasur kohë të përgatiten, pasi që testet i kanë marrë me vonesë, raporton KTV.
Në shkollën fillore “Ismail Qemali” në kryeqytet, këtij testi kanë pasur t’i nënshtrohen 2857 nxënës, por gara në këtë shkollë nuk u organizua.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Kimete Dida, thotë se arsyeja është se testet i kanë marrë pas orës 1 të mesnatës.
Sipas saj, këto teste fillimisht kanë pasur të monitorohen nga shoqëria civile dhe mësimdhënës që nuk japin mësim në këtë shkollë, por në fund, rregullat janë ndryshuar.
Ndërkaq, në shkollën fillore “Faik Konica”, testi është mbajtur me kohë, por nxënësit kanë hasur në disa parregullsi.
Drejtoresha e kësaj shkolle, Gjylije Bala, është detyruar t’i sigurojë vetë testet.
Por, në Obiliq në shumicën e shkollave, garat e diturisë janë mbajtur edhe nuk ka pasur probleme.
Ndërsa, në Podujevë garat nuk janë mbajtur në asnjë shkollë, pasi që testet nuk janë dërguar fare.
Liridon Mulliqi, drejtor i shkollës “Xheladin Rekaliu”, i ka thënë KTV-së se arsye për këtë është dështimi në planifikim dhe organizim nga ana e Koordinatorit Nacional për Kulturë, Rini dhe Sport.
Përderisa organizimin e garave të tilla e ka quajtur të paarsyeshëm dhe maltretim për nxënësit.
Rezultatet e këtyre garave pritet të shpallen javën tjetër, derisa ato do t’i kontrollojnë kujdestarët e klasave, e në fund me kërkesë të Koordinatorit, Rexhep Hoti, do të asgjësohen.