Arbëri

GAP: Nuk ka nisur zbatimi i 421 zotimeve të kryetarëve të komunave

Vetëm 42 për qind të premtimeve të fushatës elektorale i kanë përmbushur kryetarët e komunave gjatë këtyre tre vjetëve mandat, ka treguar një raport i Institutit GAP. Bazuar në këtë raport, janë 421 premtime zgjedhore të cilat ende nuk kanë filluar që të zbatohen

As gjysmën e premtimeve të dhëna gjatë fushatës zgjedhore nuk e kanë përmbushur kryetarët e komunave, të cilët edhe pak javë do të hyjnë në vitin e katërt dhe të fundit të mandatit qeverisës.
Sipas një raporti të Institutit GAP, kryetarët kanë përmbushur jo më shumë se 42 për qind të premtimeve.

17 për qind e premtimeve janë gjysmë të përmbushura, 18 për qind kanë filluar të përmbushen, ndërsa për 23 për qind të tyre nuk është ndërmarrë kurrfarë iniciative, ka treguar raporti i GAP-it.

Blendi Hasaj, drejtori i Institutit GAP, ka treguar numrin e zotimeve që nuk kanë nisur të përmbushen fare.

“Krahasuar me vlerësimin e fundit, të cilin e kemi bërë, i kemi tani më shumë se 300 premtime shtesë që tani janë përmbushur. Mirëpo një vlerësim tjetër që ka mbetur ndoshta pak më problematik në këtë fazë është se ende nuk ka filluar puna nga kryetarët dhe stafi për 421 premtime, i kemi rreth 421 premtime që ende nuk kanë filluar, ndonëse e dimë që kanë mbetur kohë edhe një vit derisa atyre t’u përfundojë mandati”, ka theksuar ai të premten, gjatë prezantimit të raportit.

E, hulumtuesi në këtë Institut, Bekim Salihu, ka bërë të ditur se realizimi i premtimeve është bërë më së shumti në fushën e Shëndetësisë dhe Administratës.

“Bazuar në këto përqindje, rezulton se ndryshe nga vitet e mëparshme, kësaj here dominon përmbushja e premtimeve në fushën e shëndetësisë dhe administratës, për dallim nga vitet e kaluara kur kryesisht dominimi në përmbushjen e premtimeve ka qenë në fushën e infrastrukturës”, ka thënë Salihu.

Sipas tij, realizimi i premtimeve në shëndetësi ka të bëjë me modernizimin e pajisjeve, me cilësinë dhe me përgjegjësinë gjatë ofrimit të shërbimeve dhe të kontrolleve specifike mjekësore për raste dhe kategori të caktuara.

Numri më i vogël i premtimeve të përmbushura, sipas GAP-it, ka të bëjë me fushën e Infrastrukturës dhe Urbanizmit.

Instituti GAP e bën monitorim periodik të realizimit të premtimeve në 27 nga 38 komuna të Kosovës, ngase disa nga kryetarët aktualë nuk kanë zhvilluar fushatë aktive zgjedhore. Kryetarët në komunat, sikurse Mamusha dhe të dhjetë të tjera që janë të banuara me popullsi me shumicë serbe, nuk kanë shpalosur ndonjë program zgjedhor dhe nuk kanë dhënë premtime konkrete.