Instituti GAP të mërkurën ka publikuar raportin e ri “Emigrimi dhe tregu i punës në Kosovë: Potenciali i papërdorur i fuqisë punëtore joaktive”, i cili hedh dritë mbi sfidat e mëdha që po përballet tregu i punës në vend.
Sipas raportit, deri në vitin 2023, rreth 359 mijë persona janë larguar nga Kosova drejt vendeve të ndryshme të botës, ndërsa 99 mijë janë kthyer ose janë të huaj që jetojnë në Kosovë.
“Ky bilanc negativ i migrimit ka ndikuar ndjeshëm në mungesën e fuqisë punëtore në tregun vendor. Sipas të dhënave, nga rreth 1.1 milion persona në moshë pune, vetëm 43% janë ekonomikisht aktivë, ndërsa 57% janë joaktivë. Nga këta të fundit, 66% janë gra dhe 34% burra, duke theksuar pjesëmarrjen e ulët të grave në tregun e punës”, thuhet në të dhënat e GAP-it.
Raporti rekomandon disa masa për të adresuar këtë situatë, duke përfshirë trajnime të përshtatura me kërkesat reale të tregut të punës, politika që ndihmojnë gratë të hyjnë në tregun e punës, riorientim profesional për të rinjtë që nuk janë të angazhuar në arsim, punë apo trajnim (NEET), bashkëpunim i ngushtë mes arsimit dhe sektorit privat për përgatitje më të mirë profesionale, stimuj për punëdhënësit që punësojnë persona që kanë qenë jashtë tregut të punës për një kohë të gjatë, mbështetje për teknologjitë inovative dhe mbështetje për avancimin e shkathtësive në fushën e energjisë së pastër .
Instituti GAP ka theksuar se rritja e përfshirjes në treg e personave që aktualisht janë joaktivë është zgjidhja më e qëndrueshme për të adresuar mungesën e fuqisë punëtore në Kosovë.
“Kjo kërkon angazhim të përbashkët nga institucionet publike, sektori privat dhe shoqëria civile për të krijuar një mjedis të favorshëm për punësim dhe zhvillim ekonomik”, vijon raporti.