Ministri i Financave, Hekuran Murati, dhe deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, janë përplasur lidhur me shifrat për shpenzime të karburantit për vetura në vitin 2023 nga veturat zyrtare. Siç ka shkruar fillimisht deputetja Bajrami duke cituar Raportin Vjetor të Auditimit, në vitin 2023 janë shpenzuar 31 milionë euro për karburante. Ndërsa ministri Murati ka insistuar se shuma e shpenzimeve për karburante për vetura dhe jo vetëm zyrtare por edhe ato të Policisë e FSK-së, ka qenë 10.47 milionë euro.
Pas gjithë përplasjes, Zyra Kombëtare e Auditorit ka dalë me një sqarim duke thënë se ka gabuar në raport e se shifra zyrtare e shpenzimit është ajo që e ka thënë ministri. Ndryshimin që ka bërë në këtë raport ZKA-ja, LDK-ja e ka cilësuar “krim të rëndë institucional”.
Në shkrimin e saj në Facebook, deputetja Bajrami e quajti ministrin Murati “manipulues”.
“Hekuran, Trego kush po rren. A po rren Zyra Kombëtare e Auditimit? Në Raportin e Auditimit 2023, në faqe 42, shkruan se janë 31 milionë euro shpenzime në karburante. Ministër, i vetmi manipulues këtu jeni ju, por mashtrimeve dhe manipulimeve po ju vjen fundi dhe atë shumë shpejtë, me 9 shkurt”, ka shkruar ajo duke shtuar edhe fotografinë e raportit.

Në përgjigje, Murati e akuzoi Bajramin për “rrenë”.
“Nëse duhet të të përgjigjem ashtu siç e ke shtruar pyetjen, ajo që po rren je ti, kur thua që janë shpenzuar 31 milionë euro naftë për vetura zyrtare (shih foton e dytë). Fakti i pakontestueshëm është se në vitin 2023 për qeverinë bashkë me të gjitha institucionet tjera dhe komunat, karburant për vetura (dhe jo vetëm zyrtare, por kryesisht policia dhe FSK-ja) është shpenzuar 10.47 milionë euro”, u shpreh ai tek ka shtuar se shifra 31 milionë euro “ose duhet të jetë ndonjë lëshim teknik, ose duhet të jetë përmbledhje e kategorisë së lëndëve djegëse, ku pastaj hyjnë edhe nafta për ngrohje apo drutë e zjarrit”.
Pas kësaj përplasjeje ishte deputetja Bajrami që njoftoi se ka marrë një përgjigje nga ZKA-ja për ndryshimin e raportit, ndërsa e ka quajtur veprimin “kapje të institucioneve të pavarura”.
Ndërkaq në një sqarim të mëvonshëm, Zyra Kombëtare e Auditimit ka thënë se bëhet fjalë për gabim e se të dhënat kanë mbetur nga raporti vjetor i auditimit i 2022-s.
“Me vendim të Auditores së Përgjithshme është korrigjuar Raporti Vjetor i Auditimit për vitin 2023 në faqen 42, te paragrafi 2 janë bartur të dhënat e korrigjuara të cilat përkojnë me të dhënat e sakta me Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës 2023, përkatësisht, shënimi 28 “Mallrat dhe shërbimet” si në vijim: Zërat kryesor në këtë kategori të cilat përfshijnë pjesën më të madhe të shpenzimeve janë: shërbimet kontraktuese tjera me 70,927,000€, furnizimet mjekësore 61,714,000€, shpenzimet e karburantit dhe ngrohjes 27,910,000€, blerja e librave 514,000€, shpenzimet e qirasë 11,495,000€ etj”, thuhet në sqarim.
Sqarimi vazhdon duke thënë se vlera e shpenzuar për karburante për vetura ka qenë 10.47 milionë euro, ajo për naftën për ngrohje qendrore 7.59 milionë euro, mazut 833 mijë euro, derivate për gjeneratorë 520 mijë euro, dru 8.28 milionë euro dhe vaj 208 mijë.
“Auditorja e Përgjithshme dhe Zyra Kombëtare e Auditimit sigurojnë Kuvendin e Republikës së Kosovës, opinionin publik si dhe subjektin e audituar se ky gabim teknik nuk ka pasur ndikim për nga aspekti i auditimit në raport si dhe në opinionin e auditimit për Raportin Vjetor Financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës”, thuhet në letrën e sqarimit.
Ndërkaq në një konferencë për media, zyrtari i LDK-së, Berat Rukiqi, ka ftuar Prokurorinë për ta hetuar veprimin e ZKA-së.
“Rast i paprecedentë, një rast të tillë nuk e kemi pas asnjëherë në demokracinë moderne të Kosovës. Nuk është vetëm ndërhyrje, por falsifikim i raporteve zyrtare. Një punë që do duhej të ishte e pavarur, ndërhyrja eklatante e sotme e ministrit të Financave, i cili pas humbjes së argumenteve me Bajramin, ndërhyn dhe pastaj ZKA-ja e falsifikon raportin. Kemi të bëjmë me çështjen e shpenzimit për naftës. Ky është krim i rëndë institucional, siç dinë këta me propagandë, me falsifikim të raporteve të institucioneve që duhej të ishin të pavarura dhe transparente. LDK-ja i bën thirrje prokurorisë ta hetojë më shpejtë këtë krim të rëndë institucional, ku ka shumë palë të përfshira”, ka thënë Rukiqi.
Ai ka thënë se partia e tij do të angazhohet edhe në Kuvend për zbardhjen e rastit.