Drejtori i Emergjencave në Komunën e Prishtinës, Lulzim Fushtica, ka thënë se qytetarët duhet të mësohen të jetojnë me ndryshimet klimatike, duke theksuar se ndryshimet kanë ndikuar në shtimin e erërave të fuqishme dhe vërshimeve.
Ai ka thënë të martën në “SOT” të KTV-së se është duke u punuar të eliminohen problemet që shkaktohen nga vërshimet, duke përmendur rrëshqitjet e dheut dhe mbledhjen e ujit në disa lagje.
“Nga ndërrimet klimatike që ndodhin, s’kemi pasur kësi lloj moti ekstrem deri në mes të verës. Vërshimet e fundit i kemi pasur më 8 korrik. Erëra të forta deri në 85 km s’kemi pasur kurrë, duhet të përgatitemi të fillojmë të jetojmë me këtë ndryshim klimatik, ky i ka prekur të gjitha vendet e rajonit”, është shprehur ai.
Sipas Fushticës, erëra e forta në kryeqytet “kanë filluar të bëhen përditshmëri”.
“Ndërtesat e punuara në qendër janë të vjetra dhe ne po intervenojmë në të gjitha kapacitetet që kemi. Për azbest është bërë hulumtimi në të gjitha ndërtesat, jemi në proces të largimit të azbestit. Niveli qendror s’ka përcaktuar vendin ku duhet të hidhet, s’kemi depo sipas standardeve dhe i takon nivelit qendror të caktojë ku do të hidhen”, ka deklaruar drejtori i Emergjencave.
Sipas tij, autoritetet lokale po merren edhe me standardizimin e ndërtimeve të reja.
Ndërsa, autorja e emisionit “038” në KTV, Rajmonda Zhdrella, është shprehur se Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ia huqi me parashikimin për vërshime në Prishtinë, duke bërë thirrje që “të mos alarmohet pa nevojë”.
“Njerëzit u bënë gati, e në rastet e tilla kur IHMK-ja ka huqje me parashikim të motit, ka pasur edhe më parë paralajmërim për erëra. IHMK-ja para se të dalë në publik duhet të parashikojë motin ashtu si duhet, jo të bëjë alarm. Pra, krejt këto frika janë shkaktuar për rrëshqitje dheu, banorët kanë qenë në pritje të rrëshqitjes së dheut”, u shpreh ajo.
Sipas Zhdrellës, në kryeqytet s’po punohet nën tokë në çështjet e gypave fekale dhe në aspektin atmosferik.
“Prishtinë qytet pa lumë, por një shi pak më i madh e vërshon”, ka thënë ajo.