Arbëri

Fushë-Kosova s’u bindet ministrive, i mban në fuqi vendimet e paligjshme

Fushe-Kosova

Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës nuk i ka shfuqizuar vendimet që nga autoritetet qendrore janë cilësuar të jashtëligjshme. Votat e kuvendarëve nga radhët e partive opozitare kanë qenë të pamjaftueshme për t’i ndryshuar. Por ata thanë se pas qasjes së partisë në pushtet përkitazi me këto vendime, autoritetet e drejtësisë kanë nisur hetimet

Kuvendi Komunal i Fushë-Kosovës është duke i mbajtur në fuqi rreth dhjetë vendime, të cilat janë kualifikuar si të kundërligjshme nga ministritë e linjës.

I fundit është ai për ndërrimin e destinacionit të një prone bujqësore në atë ndërtimore, në fshatin Miradi të Epërme, për qëllim të ndërtimit të një lagjeje me shtëpi individuale.

Në vlerësimin, të cilin e ka dhënë Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (MBPZHR), thuhet se me Planin Zhvillimor Komunal në këtë lokacion nuk parashihet ndërrimi i destinacionit të pronës bujqësore në atë ndërtimore.

“Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural kërkon nga Kuvendi i Komunës dhe kryetari i Komunës së Fushë-Kosovës që të ndërmarrin veprime konkrete që aktin e Komunës ta harmonizojnë me dispozitat ligjore në fuqi, brenda 30 ditësh nga data e pranimit të kërkesës për rishqyrtim të aktit”, thuhet në vlerësimin e MBPZHR-së.

Por, në seancën e fundit të Kuvendit Komunal, ani se rishqyrtimi i këtij akti është vënë në rend dite, nuk kanë mjaftuar votat e opozitës dhe të kryesuesit për ta shfuqizuar vendimin.

Zëdhënësi i Komunës së Fushë-Kosovës, Ali Topalli, nëpërmjet një përgjigjeje me shkrim për KOHËN, ka thënë se administrata nuk ka autoritet për të vendosur për rezultatin e një vendimi të Kuvendit Komunal.

“Kuvendi i Komunës e ka trajtuar këtë rast dhe ka vendosur e diskutuar në mbledhjen e saj, pra pas kërkesës së Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal për rishqyrtimin e vendimit. Sa i përket rezultatit final, sipas ligjit vendimi merret me shumicën e votave dhe administrata e Komunës nuk ka autoritet për të vendosur për rezultatin e një vendimi”, ka thënë Topalli.

Ndërkaq shefi i Grupit të këshilltarëve komunalë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Durim Hajra, ka theksuar se janë rreth dhjetë vendime që niveli qendror i ka vlerësuar të paligjshme e që vazhdojnë të mbeten në fuqi.

“Partia në pushtet me arrogancën e numrave edhe vendimet të cilat kthehen të kundërligjshme nga ministritë po i mban në fuqi. Andaj si rezultat, shumë vendime të kësaj legjislature, të këtij kuvendi po trajtohen në gjykata. I fundit është edhe vendimi 137, që ka të bëjë me ndërrimin e destinimit të tokës bujqësore në tokë ndërtimore. Andaj Grupi i Lëvizjes Vetëvendosje edhe këtë vendim do ta dërgojë në gjykatë”, ka theksuar ai.

Hajra ka thënë se posedon informacione që për disa vendime tashmë kanë nisur hetimet nga organet e drejtësisë dhe se janë intervistuar edhe zyrtarë komunalë.

Për ta konfirmuar këtë, KOHA ka dërguar pyetje në Prokurorinë e Shtetit dhe në Gjykatën Themelore të Prishtinës, porse nga asnjëra instancë nuk ka marrë përgjigje.

Përgjigje nuk kanë kthyer as zyrtarë të Ministrisë së Administrimit të Pushtetit Lokal (MAPL) lidhur me numrin e vendimeve që i janë kontestuar Komunës dhe të padive të dërguara në organet e drejtësisë.