Komuna e Fushë-Kosovës i ka planifikuar 40 mijë euro për blerjen e një ekrani, të cilin synon që ta vendosë në qytet gjatë vitit 2024. Këtë ndarje buxhetore komunarët e kanë arsyetuar me nevojën e qytetarëve për t’u informuar rreth punëve të qeverisë lokale. Por zyrtarët opozitarë nga PDK-ja dhe LVV-ja kanë thënë se një projekt i tillë është i panevojshëm, teksa qytetarët po përballen me nevoja bazike
40 mijë euro planifikon të shpenzojë Komuna e Fushë-Kosovës gjatë vitit të ardhshëm për blerjen e një monitori, të cilin do ta vendosë në qytet.
Zyrtarët komunalë kanë thënë se projekti, i cili është titulluar “Ekrani i qytetit”, ka për qëllim informimin e qytetarëve me punët e ekzekutivit.
“Drejtoria për Teknologji, Inovacion dhe Integrime Evropiane, si një drejtori e re, për vitin e ardhshëm ka disa investime kapitale. Një prej tyre është edhe ekrani i qytetit, pra, vendosja e një pajisjeje digjitale, funksioni i së cilës është informimi publik apo shpërndarja e informacionit në hapësirat publike brenda qytetit të Fushë-Kosovës. Po flasim për një ekran digjital, i cili do të shfrytëzohet për informimin e publikut për sa u përket edhe punëve të mira, të cilat janë nga Komuna”, ka thënë Driton Ademi, drejtor për Teknologji, Inovacion dhe Integrime Evropiane. Ai ka theksuar se nëpërmjet këtij ekrani çdo qytetar apo vizitor do të informohet me aktivitetet që zhvillohen përbrenda Komunës.
“Një kalimtar dhe një vizitor, duke e pritur autobusin, do të jetë në gjendje të informohet, për sa i përket informacionit publik, përfshirë edhe aktivitetet jashtë Komunës, siç janë pikat turistike, harta e qytetit, e kështu me radhë. Ekrani digjital së pari dallon për nga parametrat, edhe për nga specifikat teknike në radhë të parë nga vendndodhja, nga hapësira ku do të vendoset, sepse disa hapësira publike kanë një qasje më ta madhe për qytetarët, disa kanë një qasje më të vogël”, ka shtuar ai.
Ademi ka thënë se specifikat e tjera për këtë ekran do të vendosen kur të nisin procedurat e prokurimit.
Por në opozitë e kanë kualifikuar të panevojshëm një investim të këtillë në kohën kur qytetarët po përballen me telashe të mëdha.
“Fakti që ne nuk jemi pajtuar me këtë buxhet ka qenë pikërisht problemi i disa ndarjeve që për ne kanë qenë absurde, jo pse jemi në kundër ekranit të qytetit. Ne, duke i njohur problematikat e qytetit, edhe kemi argumentuar kundër për arsye se kemi jashtëzakonisht problematika tjera në Komunën tonë. Është goxha e papranueshme dhe vështirë e arsyetueshme edhe nga ekzekutivi, kur një buxhet vjen me 40 mijë euro vlerë, ndërsa në anën tjetër e ke problemin e ujit që është problem kryesor tash e 20 vjet dhe i ke ndarje vetëm 20 mijë për vitin 2024”, ka thënë Mirsad Qyqalla, shef i Grupit të kuvendarëve të Partisë Demokratike (PDK), që është në opozitë në Fushë-Kosovë. “Fushë-Kosova vuan për mungesë të parqeve dhe për parkun Sllatinë i kemi të ndara vetëm 10 mijë euro, ndërsa i kemi ndarë 40 mijë euro për një ekran të qytetit. Për ne ka qenë total e papranueshme. Mirëpo vazhdojmë të besojmë që ka qenë një ndarje buxhetore vetëm si provë e arsyetimit të themelimit të kësaj Drejtorie, për të cilën kemi qenë kritik edhe atëherë e edhe tash”.
Vërejtje të njëjtë ka shprehur edhe shefi i Grupit të kuvendarëve opozitarë të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), Durim Hajra.
“Komuna e Fushë-Kosovës një ndër projektet të cilat i ka paraparë me buxhet për vitin 2024 është edhe vlera e një monitori të qytetit. Në esencë dhe në kushte normale, një komunë me zhvillim minimal ndoshta do të ishte krejt në rregull pse ishin të buxhetuara 40 mijë euro për blerjen një monitori, por siç e dimë Komuna e Fushë-Kosovës qëndron keq në shumë fusha elementare, duke filluar prej shkollave me kushte jo të mirë, qendrave të mjekësisë familjare e kushteve të tjera infrastrukturore”, ka thënë ai. “Atëherë ne nuk e shohim të arsyeshme një buxhetim prej 40 mijë eurosh, shto këtu edhe një gjë tjetër, e cila është shuma që është paraparë për blerjen e këtij monitori. Me sa e di, në vlerën e tregut ky monitor ndoshta mund të blihet me 15 deri në 20 mijë euro. Ne e kontestojmë edhe shumën, por edhe projektin në kohën që është buxhetuar”.
Dy ekrane të ngjashme i ka të vendosura edhe Komuna e Obiliqit. Zyrtarët e saj i kanë thënë KOHËS se të dy ekranit i kanë blerë me një çmim prej më pak se 50 mijë eurosh.
Të pyetur lidhur me çmimin, zyrtarët në Fushë-Kosovë e kanë quajtur projekt të vogël blerjen e këtij monitori. Përveç këtij ekrani të jashtëm, Fushë-Kosova i ka ndarë edhe 15 mijë euro të tjera për vendosjen e një ekrani brenda objektit të komunës.