Arbëri

Fushë-Kosova kishte tejkaluar numrin e pozitave të lejuara për 160 punëtorë

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo ka ndodhur për shkak se në arsim është shtuar numri i paraleleve më shumë sesa ishin në planin për regjistrimin e nxënësve në klasat e 10-ta për vitin shkollor 2021/2022, mungesa me arsye të mësimdhënësve dhe pushimet e lehonisë

Jashtë listës së pagave kanë qenë 160 punëtorë në Komunën e Fushë-Kosovës gjatë vitit 2022, duke e tejkaluar numrin e miratuar të pozitave të punës. Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA) ka bërë të ditur se asnjë organizatë buxhetore nuk mund të tejkalojë numrin e të punësuarve gjatë vitit fiskal. Bazuar në Raportin e Auditorit, Rregulla financiare e MF-së Nr. 01-2013, neni 33 parasheh që Organizata Buxhetore duhet të sigurojë që të gjithë personat në marrëdhënie pune të paguhen përmes listës së pagave.

“Po ashtu edhe Ligji Nr. 07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për buxhetin e RKS për vitin 2022, neni 13.1 përcakton: ‘Asnjë organizatë buxhetore nuk mund të tejkalojë numrin e të punësuarve në nivel të nën-programit, në asnjë kohë gjatë viti fiskal 2022, siç specifikohet në tabelën 3.1, 3.1A dhe 4.1 të bashkangjitura në këtë ligj, përveç lehonive në sistemin shkollor parauniversitar”, theksohet në raportin e ZKA-së. “Komuna në vitin 2022 kishte angazhuar 160 punonjës jashtë listës së pagave, pasi që Komuna kishte tejkaluar numrin e aprovuar të pozitave të punës. Këta punonjës kishin pozita të rregullta në arsimin fillor, si dhe për zëvendësimin e punonjësve të arsimit, e të cilët ishin punësuar sipas procedurave që kërkohen me Ligjin për zyrtarë publikë”.

Sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit, kjo ka ndodhur për shkak se në arsim është shtuar numri i paraleleve më shumë sesa ishin në planin për regjistrimin e nxënësve në klasat e 10-ta për vitin shkollor 2021/2022, mungesa me arsye të mësimdhënësve dhe pushimet e lehonisë.

“Më tutje, mungesa e zyrtarëve në lisën e pagave është edhe për shkak se është tejkaluar numri i lejuar sipas Ligjit të buxhetit”.

Bazuar në këtë raport, mospërfshirja e punëtorëve në listën e pagave ndikon në rritjen e obligimeve të parapara dhe vonesa e pagesave rrisin rrezikun e shpenzimeve shtesë përmes procedurave gjyqësore/përmbarimore.

“Kryetari duhet që para shtimit të numrit të paraleleve të sigurohet se ka në dispozicion buxhet të mjaftueshëm për çdo pozitë për rekrutim dhe ka vende të lira për përfshirjen e tyre në listën e pagave”, thuhet në Raportin e Auditorit.

KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Komunës së Fushë-Kosovës lidhur me gjetjet e ZKA-së, por deri në kohën e raportimit nuk ka marrë përgjigje.

Ndërkohë, në Raportin e Auditorit shkruhet se menaxhmenti i Komunës është pajtuar me gjetjen e Auditorit.

© KOHA Ditore