Komunarët e Fushë-Kosovës i kanë shpërfillur procedurat e Rregullores MF-Nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve kur kishin financuar një OJQ.
Shuma e mjeteve që kishin subvencionuar, sipas Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA) ka qenë 55 mijë euro.
“Sipas Rregullores MF-Nr. 04/2017 mbi kriteret, standardet dhe procedurat e financimit publik të OJQ-ve, neni 2, paragrafi 1 ‘Dispozitat e kësaj Rregulloreje zbatohen nga çdo organizatë buxhetore e cila financon projektet dhe programet e OJQ-ve të cilat janë aplikues apo partner në aplikimet, sipas një thirrje publike për financim të projekteve dhe programeve të OJQ-ve, dhe të cilat i plotësojnë kriteret sipas kësaj Rregulloreje’”, thekson raporti i ZKA për vitin 2022. “Komuna te financimi i projektit ‘Mbështetja financiare për klubin e futbollit Fushë Kosova’, përmes vendimit në asamblenë komunale kishte lejuar mjete financiare në vlerë 55,000€ duke mos zbatuar procedurat përcaktuar në rregulloren për financimin e OJQ-ve, si thirrje publike për financim të OJQ-ve, trajtimi i barabartë dhe mosdiskriminimi i aplikuesve si dhe gjithëpërfshirja gjinore e përfituesve”.
Ky veprim, sipas Auditorit, kishte ndodhur si shkak i neglizhencës dhe planifikimit jo adekuat të financimit në projektet e OJQ-ve.
“Anashkalimi i procedurave ligjore, përkatësisht mosrespektimi i kritereve të rregullores për financimin e OJQ-ve, ndikon në zbehjen e parimeve të përgjithshme të financave publike duke kufizuar konkurrueshmërinë, rrit mundësinë për diskriminim dhe rrit rrezikun që fondet të mos shfrytëzohen në mënyrë efektive”, thekson ZKA-ja.
Auditori ka kërkuar nga kryetari që të sigurojë që projektet e financimit të OJQ-ve të planifikohen në kohën e duhur në mënyrë që të respektohen kriteret e parapara ligjore për financimin e OJQ-ve, me qëllimin që fondet publike të shfrytëzohen në mënyrë efektive.
KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë lidhur me gjetjet e Auditorit që prej datës 19 korrik, por deri tash ato kanë munguar.