Arbëri

Fushë-Kosova jashtëligjshëm kishte alokuar mjete në projekte pa vendim të Kuvendit

Zyrtarët komunalë të Fushë-Kosovës kanë bërë pagesa të projekteve nga buxheti i projekteve tjera pa kaluar në Kuvend Komunal.

Bazuar në raportin e Zyrës Kombëtare të Auditimit (ZKA), neni 17 pika 10 e Ligjit Nr. 07/1-041 Ndarjet buxhetore për vitin 2022, thotë se ndryshimet në shumat e ndara buxhetore për projektet ekzistuese apo zëvendësimin e projekteve kapitale të komunave, të prezantuara në tabelën 4.2, duke përfshirë edhe të hyrat vetanake të bartura, si dhe të regjistruara në SIMFK, duhet të aprovohen paraprakisht nga Kuvendi Komunal.

“Rialokimet duhet të kryhen në përputhje me procedurat dhe kriteret e parapara me udhëzimin administrativ MF. Nr. 05/2019 për procedurat e transferit dhe rialokimit të ndarjeve buxhetore. Tek pagesa në vlerë 39,781€ për Renovim të objektit të QKMF-së në Fushë Kosovë, kemi identifikuar se Komuna ka përdorë fondet nga projektet për qëllime tjera nga ajo për të cilin ishin planifikuar”, thekson raporti vjetor i Auditorit për vitin 2022.

Megjithëse nuk ka kaluar ky ndryshim nëpërmjet Kuvendit Komunal, komunarët nuk kanë dhënë ndonjë shpjegim për këtë.

“Për këtë rast, nuk ka aprovim nga Kuvendi Komunal për ridestinim të mjeteve dhe rialokimit të ndarjeve buxhetore nga një projekt kapital në një tjetër. Zyrtarët nuk kanë ofruar ndonjë shpjegim për mos zbatim të kërkesës ligjore. Megjithëse, kjo situatë është përsëritur, veprimet e tilla janë të ndikuara nga planifikimi jo i mirë i projekteve dhe nga nevojat për mjete buxhetore”.

Përdorimi i fondeve për qëllime tjera nga ajo për të cilin ishin buxhetuar pa një aprovim paraprak  nga Kuvendi Komunal dhe ministri i financave, sipas Auditorit, përveç që është në kundërshtim me ligjin e buxhetit, ndikon që të devijohen projektet nga ato të aprovuara në kuvendin komunal, në të cilin janë diskutuar dhe aprovuar prioritetet e qytetarëve.

“Kryetari duhet të sigurojë se janë marrë veprimet e nevojshme që projektet e aprovuara të realizohen sipas planifikimit. Nëse paraqitet nevoja për ridestinim të fondeve të projekteve, kjo të realizohet përmes procedurave të përcaktuar me rialokim në pajtim me Ligjin mbi ndarjet buxhetore”, thuhet në raport.

KOHA ka dërguar pyetje në adresë të Komunës që nga 19 korriku, por nuk ka marrë përgjigje lidhur me gjetjet e Zyrës Kombëtare të Auditimit.