Në shpërputhje ligjore kishte ndryshuar Komuna e Fushë-Kosovës kontratën për ndërtimin e kanalizimit në disa fshatra të saj. Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur se kësaj kontrate i ishin shtuar më shumë se 24 mijë euro, ose 31 për qind e vlerës së kontratës.
“Neni 61.24 i RrUOPP-së ‘Ndryshimi i kontratës nuk do t’i lëshohet OE (Operatorit Ekonomik v.j.) para marrjes së aprovimit nga ZKA (Zyrtari Kryesor Administrativ v.j.)’. Ndërsa sipas nenit 61.19 Përgjegjësi e menaxherit të projektit është të menaxhojë obligimet dhe detyrat e AK-së (Autoriteti Kontraktues v.j.) të specifikuara në kontratë dhe të sigurojë se operatori ekonomik kryen kontratën në përputhje me termat dhe kushtet e specifikuara në kontratë. Dhe nenit 61.26 të Rregullave të UOPP-së, asnjë ndryshim kontrate nuk do ta shtojë çmimin total të kontratës me më shumë se 10% të çmimit fillestar të kontratës”, thekson raporti i Auditorit për vitin 2022.
Bazuar në këtë dokument, te kontrata “Punimi rrjetit të kanalizimit në fshatrat Bardh i Vogël, Henc, Miradi e Epërme, Miradi e Poshtme dhe Harilaq”, Komuna kishte lidhur kontratë në vlerë 77,245€, me aprovim të ZKA-së ishin bërë ndryshime të sasive nëpër pozicione në vlerë prej 24,311€ apo 31% të vlerës së kontratës.
“Kjo ka ndodhur si pasojë e mungesës së kontrollit në zbatimin e kushteve të përcaktuara ligjore dhe inicimit të procedurave të prokurimit, dhe lidhja e kontratave për projekte ndërtimore është bërë pa një plan detal ekzekutiv të ndërtimit ku trasea e kanalizimit ishte menduar të kalonte nëpër prona private”.
ZKA-ja ka gjetur gjithashtu edhe specifikime jo të qarta në disa kontata tjera, që sipas Auditorit, është në kundërshtim ligjor.
“Ndërtimi i katit shtesë (kati i dytë) të objektit të Komunës, në vlerë prej 434,895€, në formulimin e specifikave teknike ishin bërë përshkrime jo të sakta dhe jo të matshme të pozicioneve si: nuk ka përcaktuar numrin e xhamave për dritaret apo numrin e dhomave termike të profilit të aluminit të dritareve, nuk kishte përcaktuar standardin për armaturë, për furnizimin dhe montimin e pompave termike, akumuluesi, fancoila dhe seti i pompës qarkulluese është kërkuar nga marka tregtare Viessmann apo termostatit Vitotrol”, thekson raporti i Auditorit.
“Asfaltimi i rrugëve në Fushë-Kosovë, në vlerë prej 232,751€, në formulimin e specifikave teknike ishin bërë përshkrime jo të sakta dhe jo të matshme të pozicioneve si: për furnizimin, transporti dhe shtruarja e shtresës së bitoagregatit BA 0-22mm me trashësi t=8 cm, dhe kubezave të betoni nuk ka përcaktuar standardin e cilësisë për çka do të ishte pikë krahasuese e matjes së cilësisë”.
Komuna e Fushë-Kosovës, sipas ZKA-së, kishte përdorur marka specifike.
“Ndërtimi i palestrës sportive në fshatin Sllatinë e Vogël, në vlerë prej 2,188,259€, në formulimin e specifikave teknike, komuna ka përdorur marka specifike tregtare për kalorifer të prodhuesit OSA Termosistem apo panele solare Vitosol 20-F. Renovimi objektit të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare, në vlerë prej 169,498€, në formulimin e specifikave teknike, komuna ka përdorur marka specifike tregtare për trupat ndriçues si Dritat të tipit KING G12 apo gyp për instalimin e ngrohjes së TUBIPLAST”, thuhet në raport.
Specifikimet teknike jo të qarta/matshme, sipas Auditorit, kanë ndodhur për shkak se njësitë kërkuese nuk kanë bërë rishikim adekuat dhe në mënyrë profesionale, për të eliminuar paqartësitë, dhe zyrtari përgjegjës i prokurimit nuk ka ushtruar kontrolle të mjaftueshme për të parandaluar këtë mangësi.
Në një kontratë tjetër, Zyra Kombëtare e Auditimit ka gjetur edhe mungesë të projektit ekzekutues.
“Komuna ka filluar procedura të prokurimit dhe kishte lidhur kontratë për ‘Punimi i rrjetit të kanalizimit për ujëra e zeza dhe ujëra atmosferike ne rrugën ‘Tahir Zemaj’, me vlerë prej 200,491€, pa hartuar paraprakisht projektin ekzekutiv të ndërtimit. Zhvillimin e procedurave të prokurimit në mungesë të projektit ekzekutues ka ndodhur për shkak të neglizhencës së njësive kërkuese, pa bërë paraprakisht hartimin e projekteve ekzekutive zbatuese dhe mosfunksionimit efikas të kontrolleve tek zyra e prokurimit duke zhvilluar procedurat pa u përmbushur kërkesat ligjore”.
Për këto të gjetura KOHA i ka dërguar pyetje Komunës nga data 19 korrik, por ende nuk ka pranuar përgjigje.
Sipas Auditorit, Komuna e Fushë-Kosovës për vitin 2022 i kishte pasur 6,497,531€ për projekte kapitale, por i ka shpenzuar vetëm ,698,631€ apo rreth 26 për qind të buxhetit final.