Arbëri

Fushë-Kosova ekzekuton 320 mijë euro në kategori joadekuate buxhetore

Komuna e Fushë-Kosovës ka ekzekutuar pagesa në vlerë 320 mijë e 888 euro në kategori joadekuate buxhetore gjatë vitit 2022. Zyra Kombëtare e Auditimit ka identifikuar pagesa të tilla në 13 raste.

“Në 13 raste kemi identifikuar se komuna kishte ekzekutuar pagesa në kategori jo adekuate dhe atë në vlerë prej 320,888€ si: Nga kategoria ekonomike Mallra dhe Shërbime, vlera prej 22,030€ ishin paguar për Subvencione dhe Transfere, ndërsa 126,500€ ishin paguar për Investime Kapitale. Nga kategoria e investimeve kapitale, vlera prej 57,630€ ishin paguar për mallra dhe shërbime dhe 114,728€ për paga dhe mëditje”, thekson raporti i Auditorit.

Bazuar në këtë dokument, kjo ka ndodhur për shkak se Komuna nuk kishte bërë planifikim adekuat sipas nevojave dhe kërkesave të raportimit të shpenzimeve sipas kategorive përkatëse si pasojë e pagesave të ekzekutuara përmes vendimeve gjyqësore.

“Planifikimi dhe realizimi i shpenzimeve nga kategoritë ekonomike joadekuate, ndikon në mbivlerësimin/nënvlerësimin e kategorive përkatëse të shpenzimeve dhe të pasurive. Si rrjedhojë, kjo ndikon në prezantim jo të drejtë të shpenzimeve në Pasqyra Vjetore Financiare”, thuhet në raport.

Duke iu referuar Rregullës Financiare Nr. 01/2013/MF 'Shpenzimi i parasë publike', ZKA-ja thekson se shpenzimet duhet të kenë kodet adekuate, të përcaktuara me Udhëzimin Administrativ për planin kontabël, po ashtu me planin kontabël të Thesarit janë përcaktuar kodet dhe kategoritë përkatëse të shpenzimeve që Organizta Buxhetore duhet të aplikojnë.

Tutje në raport thuhet se në Komunën e Fushë-Kosovës janë vërejtur edhe dobësi në menaxhimin e obligimeve.

“Sipas nenit 39.1 të ligjit Nr. 03/L-048 për MFPP, çdo faturë e vlefshme dhe kërkesë për pagesë për mallra dhe shërbimet e furnizuara dhe/ose punët e realizuara për organizatën buxhetore të paguhen brenda tridhjetë (30) ditëve kalendarike pas pranimit të faturës. Në shtatë (7) raste, faturat në vlerë prej 60,600€ nuk janë paguar në afatin e rregullt ligjor. Vonesat e ekzekutimit të pagesave arrin afatin deri 269 ditë kalendarike”, thekson raporti i Auditorit.

“Po ashtu, Thesari sipas vendimeve gjyqësore/përmbarimore kishte ekzekutuar pagesa nga buxheti i komunës për vitin 2022 në vlerë prej 146,843€. Prej tyre 113,855€ ishte borxhi kryesor i papaguar i komunës, kurse 32,987€ ishin shpenzimet shtesë në emër të procedurës kontestimore /përmbarimore apo interesit”.

Shkaku i mospagesave me kohë, sipas ZKA-së, janë kontrollet e dobëta në menaxhimin e borxheve, menaxhimin e buxhetit dhe hyrja në obligime pa i pasur në dispozicion mjetet e nevojshme.

Bazuar në këtë dokument, është gjetur edhe mosregjistrim i pasurive dhe prezantim jo i plotë i tyre në PFV.

“Sipas Rregullores Nr. 02/2013 – ‘Për menaxhimin e pasurisë jo financiare në organizatat buxhetore’, neni 6, pasuria kapitale duhet të regjistrohet në SIMFK ndërsa pasuria jo kapitale dhe stoqet duhet të regjistrohet në sistemin ‘e-pasuria’, po ashtu neni 6 i Rregullores Nr. 01/2017 për Raportim Vjetor Financiar nga Organizatat Buxhetore parasheh se: ‘Organizatat buxhetore mbajnë regjistra kontabël të saktë, të plotë, të azhurnuar dhe në harmoni me legjislacionin në fuqi, për të gjitha informatat financiare dhe informatat tjera jo financiare”, thekson raporti.

Vlera e pasurive, sipas Auditorit, nuk ishte prezantuar drejtë për 51,100€, pasi që blerjet e vitit 2022 për pasuri kapitale dhe jo kapitale (ku përfshihen asfaltimi i rrugëve lokale, blerje të gjeneratorëve dhe kompjuterëve, etj) nuk ishin regjistruar në SIMFK dhe në e-Pasuria.

“Moszbatimi i duhur kontrolleve dhe mungesa e njohurive adekuate mbi procedurat e regjistrimit janë shkaktarët lidhur mungesën regjistrimit jo të plotë të pasurisë jo financiare. Mos regjistrimi i të gjitha pasurive, rritë rrezikun që komuna mos të ketë nën kontroll, të gjitha pasuritë e saj, dhe të ketë mangësi në raportim duke bërë nënvlerësimin e pasurive në PFV”.

Auditori ka kërkuar nga kryetari që të rris performancën e angazhimit tek stafi dhe përmirësojë komunikimin në mes departamenteve, që të sigurohet se të gjitha pasuritë regjistrohen në regjistrin e pasurisë, në mënyrë që të ulet rreziku i keqpërdorimit apo humbjes së pasurisë.

KOHA ka kërkuar përgjigje nga zyrtarët komunalë lidhur me gjetjet e Auditorit që prej datës 19 korrik, por deri tash ato kanë munguar.