Në projektbuxhetin e 2024-s, ekzekutivi i Fushë-Kosovës ka paraparë të shpenzojë buxhet për intervenim në rrugët e 10 fshatrave aq sa ka paraparë koston e projektit që lidhet me rrethojën dhe parkingun e oborrit të Komunës. Opozitarët dhanë kritika për këtë dhe thanë se buxheti nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, por vetëm dëshirat e ekzekutivit.
Komuna e Fushë-Kosovës planifikon të ndërtojë rrethojë dhe parking të ri në oborrin e Komunës, ani pse që të dyja janë ndërtuar para pak vjetësh. Shuma prej 240 mijë eurosh që është planifikuar të shpenzohet për këtë projekt që përfshin edhe rrethojën e QKMF-së, është e përafërt me vlerën e asfaltimit të rrugëve në dhjetë fshatra të kësaj komune.
Opozitarët në Fushë-Kosovë thanë se është e palogjikshme që me projektbuxhetin e 2024-s të ndahen mjete për rrethojën që ekziston, në vlerë të barasvlefshme me asfaltimin e rrugëve në fshatra, kurse dymbëdhjetë fish më pak për ujësjellës e kanalizim.
“Këtu po shihet që kjo është një ndarje buxhetore në shumë raste edhe e palogjikshme, sepse nuk ki arsyeshmëri për një rrethojë që është sot mjaft e mirë të ndahen 240 mijë euro, po them përveç me quajt interes i dikujt”, ka thënë shefi i kuvendarëve të PDK-së në Fushë-Kosovë, Mirsad Qyqalla.
Sipas tij, buxheti për Komunën e Fushë-Kosovës nuk i përmbush nevojat dhe kërkesat e qytetarëve, por vetëm dëshirat e ekzekutivit.
Kritik rreth planifikimeve buxhetore është shprehur edhe shefi i Grupit të kuvendarëve të Vetëvendosjes në këtë komunë, Durim Hajra. Sipas tij, pavarësisht që kryetari Burim Berisha renditet i fundit për realizimin e premtimeve, ato nuk janë përfshirë as me buxhetin e vitit që vjen.
“As në këtë buxhet nuk janë përfshirë pjesa dërrmuese e projekteve e premtimeve të mëdha të kryetarit aktual, i cili me ato premtime e ka marrë mandatin. Pra nuk janë përfshirë as premtimet e tij e lëre më kërkesat dhe nevojat e qytetarëve. Dhe ne konsiderojmë se ky buxhet nuk garanton as zhvillim dhe as nuk garanton implementim”, ka thënë Durim Hajra, shef i kuvendarëve të LVV-së në Fushë-Kosovë.
Lidhur me planifikimin buxhetor dhe mosrealizimin e premtimeve, të hënën KOHA i ka adresuar pyetje kryetarit Burim Berisha e, edhe Zyrës për informim, por nuk ka pranuar përgjigje.
E të mërkurën drejtori për Buxhet dhe Financa, Ramadan Jashanica, nuk ka qenë në zyrë, por nëpërmjet telefonit ka thënë që për këtë deklarohet shefi i planifikimit buxhetor, Bardhyl Koiçiqi. E, Koiçiqi i ka thënë KOHËS se është drejtor për Infrastrukturë.
Buxheti për vitin 2024 është miratuar pa votat e opozitës.