Arbëri

Fushata për zgjedhjet lokale e ka paralizuar punën e legjislativit

Fushata për zgjedhjet lokale ka paralizuar punën e Kuvendit të Kosovës.

Kryeparlamentari Glauk Konjufca bashkë me nënkryetaren e Kuvendit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, Saranda Bogujevci, ishin në fushatë në Prishtinë.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Partisë Demokratike në opozitë është zgjedhur kryetar i Mitrovicës dhe e ka lënë postin e deputetit, ndërkaq edhe nënkryetari nga radhët e Lidhjes Demokratike, Kujtim Shala, është treguar aktiv në fushatë.

Pasiv në punimet e legjislativit janë treguar edhe dy anëtarët e Kryesisë nga radhët e komuniteteve – Sllavko Simiq dhe Bekim Arifi.

Për pasojë, ka rreth një muaj që kanë dështuar tentimet për ta mbajtur një mbledhje të Kryesisë, në të cilën do të përgatitej seanca e radhës e Kuvendit.

Mbledhja e Kryesisë e planifikuar për të hënën nuk u mbajt dhe arsyet e kësaj nuk i dha Kuvendi.

“Mbledhja e Kryesisë së Kuvendit të Republikës së Kosovës, e paraparë për sot në orën 11:00, shtyhet për një ditë tjetër”, thuhet nw njoftimin e Kuvendit.

Në mungesë të saj, kanë ngecur shumë nisma.

Në mesin e tyre është edhe debati parlamentar në lidhje me veprimet e Qeverisë për alternativat e diversifikimit të energjisë dhe veçanërisht Projektin e Gazit me MCC. Qeveria është deklaruar kundër këtij projekti, dhe kjo ka nxitur reagime të mëdha në opozitë.

Ka mbetur edhe një numër ligjesh që nuk i janë nënshtruar shqyrtimit parlamentar, një numër marrëveshjesh, sikur që kanë mbetur shumë borde e institucione kushtetuese pa u funksionalizuar, përfshirë Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe Gjykatën Kushtetuese.

Nga e hëna ka nisur fushata për balotazhin e zgjedhjeve lokale, që organizohet të dielën e kësaj jave. E gara kryesore zhvillohet mes kandidatëve të partive që janë të përfaqësuara në Kryesinë e Kuvendit.