Ka katër javë që deputetët i janë kthyer punës në Kuvend, por kanë mbajtur vetëm dy seanca të cilat janë ndërprerë në gjysmë për mungesë kuorumi. Në opozitë e akuzojnë mazhorancën e në pushtet nuk marrin përgjegjësi për mungesat e deputetëve. Shoqëria civile vlerëson se deputetët janë të papërgjegjshëm në punë.
Fushata zgjedhore e transferimet e deputetëve nëpër parti, shprehet drojë se do ta vështirësojnë edhe më tej funksionimin e punës së Kuvendit, i cili ka katër javë që ka nisur sesionin po ka mbajtur vetëm dy seanca.
Të dy seancat që kishin rendin e njëjtë të ditës kanë trajtuar shumë pak pika dhe të dyja kanë dështuar për mungesë të deputetëve.
Për mungesë kuorumi këtë javë dështoi edhe mbledhja e Kryesisë.
Violeta Haxholli, menaxhere e projekteve në KDI, konstaton se largimi i dy deputetëve nga Vetëvendosje së fundmi do të prodhojë sfidë të madhe për punën parlamentare.
“Sa më afër zgjedhjeve do të shohim besoj një dinamikë më të ulët në Kuvend, kjo për faktin se siç pamë lëvizje të deputetëve këtë javë, të dy deputetëve, mund të ketë lëvizje edhe nga ana e deputetëve të tjerë, pasi që tani deputetët do të fillojnë të mendojnë më shumë kah aspekti elektoral... Kjo ia vështirëson edhe më shumë partisë në pushtet sigurimin e numrave. Tani në total ata kanë 54 deputetë, bashkë me grupin multietnik i kanë në total 62”, tha Haxholli.
Viona Bunjaku, hulumtuese në Lëvizjen FOL e vlerëson si të papërgjegjshme qasjen e deputetëve ndaj detyrave që kanë.
“Mungesa e deputetëve vazhdimisht, sidomos e këtyre të mazhorancës, tregon për një mosllogaridhënie ndaj publikut dhe qytetarëve dhe tregon një papërgjegjësi totale të punëve të deputetëve të cilat ata i kanë”, tha Bunjaku.
Në opozitë thonë se Kuvendi është në krizë për të cilën përgjegjësinë duhet ta mbajë pushteti.
“Ajo që është për keqardhje është qasja tepër autoritare, qasje e cila është kah e dëmton në themel funksionimin e Kuvendit të Kosovës. Kuvendi i Kosovës është në krizë serioze dhe unë duke parë situatën në të cilën është nuk besoj që do ta ketë mundësinë të votohet asnjë ligj për shkak se nuk i kanë numrat shumica dhe për shkak të qëndrimeve tona që ne nuk do të mbështesim ligje bazike”, tha shefi i Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri.
Ndonëse agjenda legjislative vjen nga Qeveria, në partinë në pushtet thonë se përgjegjësia për pjesëmarrje dhe votim u takon deputetëve veç e veç dhe jo ekskluzivisht mazhorancës.
“Mungesa e deputetëve dhe refuzimi i opozitës me marrë pjesë në votim kanë ndikuar në dështimin e seancave të caktuara. Ne si mazhorancë sado që kemi qenë subjekti me më së shumti deputetë ndonjëherë, si mazhorancë kemi qenë në kufij të kuorumit. Deputetët duhet të përmbushin përgjegjësitë e tyre, pavarësisht se janë të pozitës apo të opozitës. Ata duhet të marrin pjesë në seancë dhe të shprehin vullnetin e tyre përmes votës. Duke votuar PËR, KUNDËR apo ABSTENIM. Mospjesëmarrja në seanca është absurde”, tha Adnan Rrustemi deputet nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Vetëvendosje bashkë me grupin multietnik ka në total 62 deputetë, prej të cilëve 61 duhet të jenë prezentë në secilën seancë për të shmangur dështimin dhe për të mundësuar miratimin e projektligjeve.
Prej fillimit të legjislaturës, koalicionit qeverisës i është bashkuar një deputete e i kanë ikur 5 të tillë.