Pos objektit që ende qëndron në këmbët e veta në një pjerrinë skaj hekurudhës në të djathtë të rrugës “Ali Ajeti” në Podujevë, gjithçka tjetër i takon së shkuarës. Furra e bukës që quhej edhe “Furra multietnike” nuk ofron më bukë!
Një mbishkrim ngjitur në xhamat që kanë shpëtuar pa u thyer, ende ruan kujtimin për objektin që ishte i dedikuar për të ofruar bukë. Mesazhi që përcjell fotoja bashkë me mbishkrimin ka kohë që nuk i shërben këtij qëllimi. Pos objektit që ende qëndron në këmbët e veta në një pjerrinë skaj hekurudhës në të djathtë të rrugës “Ali Ajeti” në Podujevë, gjithçka tjetër i takon së shkuarës. Furra e bukës që quhej edhe “Furra multietnike” nuk jep më bukë!
Banorët që jetojnë në kodrinën në anën tjetër të furrës jo larg nga aty, u takojnë kryesisht komuniteteve pakicë.
Fitim Ademi që jeton rreth 200 metra larg furrës është nga komuniteti ashkali. Të ardhurat e vetme për ta mbajtur familjen i nxjerr nga mbledhja e kanaçeve nëpër kontejnerët e mbeturinave. Gjetja e ndonjë hekuri aty-këtu tashmë e konsideron si “luks”. Asistencën sociale që e merrnin ua kanë ndalur nga muaji prill i vitit 2022, pasi komisioni mjekësor ka konstatuar se gruaja e tij është e aftë për punë, pavarësisht se Fitimi nuk pajtohet me këtë konstatim. Funksionimi i kësaj furre, thotë se do të ishte një ndihmesë për familjet skamnore të komuniteteve që jetojnë në këtë lagje.
“Mua socialin ma kanë ndalë në muajin e katërt (prill 2022 v.j.), unë social nuk marr tash. Jetoj me mbledhjen e kanaçeve dhe hekurave, tjetër send kurrgjë. Vështirë se unë nuk kam asnjë të ardhur mujore. Qysh nuk e kam vështirë nëpër kontejnerë me mbledh kanaçe!? Është tejet vështirë. Jam katër anëtarë, gruan dhe dy fëmijë (18 vjet dhe 16 vjet)”, ankohet Fitim Ademi. “Ajo furrë na kish ndihmu neve si pjesëtarë të komunitetit ashkali, sepse normal që tash edhe me shtrenjtimin e sendeve, bukës, vajit, ajo na kishte ndihmu shumë. Me funksionu ende ajo furrë për komunitetin, të varfërve ajo iu kishte ndihmu shumë që me u dhanë bukë për skamnorë pa pare”.
Për shkak të kushteve të rënda, i është ndalur djali i vogël nga shkolla, pasi thotë se nuk ka çfarë të mbathë.
Në Qendrën për Punë Sociale në Podujevë kanë theksuar se muajt e fundit janë shtuar rastet e familjeve që komisioni mjekësor po i largon nga ndihma sociale. Fadil Berisha, i cili është i autorizuar si ushtrues detyre i drejtorit në këtë qendër, ka thënë se pavarësisht kushteve të rënda, Fitim Ademit i është refuzuar asistenca sociale edhe pas ankesës në shkallën e dytë, pasi, sipas komisionit mjekësor, ai dhe bashkëshortja e tij janë të aftë për punë.
“Sipas Ligjit mbi skemën e ndihmave sociale nëse dy anëtarë të familjes janë të aftë për punë nuk lejohet t’iu vazhdohet ndihma sociale. Ky është një problem që na përcjell neve si Qendër”, thotë ai.
Historia për furrën multietnike
Xhafer Ademi është kryesues i Komitetit për Komunitete në Kuvendin Komunal të Podujevës. Ai më kot shikon nëpërmjet xhamave të derës brenda hapësirës së objektit tashmë të “zbrazur”. I zhgënjyer thotë se kjo furrë asnjëherë nuk i shërbeu qëllimit për çka ishte ndërtuar.
“Qëllimi i kësaj furre ka qenë që komuniteti të furnizohet me bukë pa pare një kohë. Masandej me marrë ato familje të varfra që ato me marrë bukën pa pare, e ne ta marrim bukën ma lirë. Por kjo nuk ka funksionuar. Nuk është ba në atë kohë. Ne nuk e dimë çka është kah ndodh me këtë furrë, sepse tjetër kush para meje ka qenë i angazhuar edhe tash unë jam vetëm në Komitetin për Komunitete e nuk e di krejt ngjarjen qysh ka ndodhur”, thotë Xhafer Ademi.
E ngritur para dymbëdhjetë vjetësh, kjo furrë ishte ndërtuar nga Komuna e Podujevës. 24 mijë euro ishte shuma e financuar nga administrata komunale, krahas infrastrukturës përcjellëse dhe caktimit të lokacionit. Ndërsa pjesën e inventarit të brendshëm, përfshirë edhe pajisjet, e kishte financuar Ambasada e Çekisë në Prishtinë. E menaxhimin fillimisht do ta bënte shoqata “Nëna Terezë”.
Historinë e “Furrës multietnike” mundohet ta risjellë kryetari i tashëm i shoqatës “Nëna Terezë”, Dega në Podujevës, Hajrullah Surkishi. Sipas tij, shoqata “Nëna Terezë” në Prishtinë bashkë me Ambasadën Çeke në Prishtinë ishin marrë vesh që të bëjnë dy furra, një në Podujevë dhe një në Pejë për komunitetet romë, ashkali e egjiptian.
“Kryetari i Komunës (Agim Veliu v.j.) na premtoi se do të ndajë tokën dhe do të ndërtojë objektin e furrës. Në vitin 2010 është ndërtuar dhe është funksionalizuar furra. Një muaj Shoqata e ka furnizuar me miell, dru, kripë e tharmë furrën”, tregon Hajrullah Surkishi.
Problemet nisën që në fillim. Trajnimi i pesë pjesëtarëve nga komunitetet për furrtar kishte dështuar.
“Në fillim e ka marrë Zeqir Mustafa me punu në furrë dhe me i trajnu pesë veta prej komunitetit që pastaj ata pas trajnimit me marrë në menaxhim furrën. Komuniteti i zgjodhi pesë veta, por kur erdhën ata pyetën për paga, e që për trajnim nuk parashihej një gjë e tillë. Vetëm njëri prej tyre dy muaj e pak erdhi dhe e la. Gjashtë muaj duhej të zgjaste trajnimi”, thotë kryetari i shoqatës “Nëna Terezë” në Podujevë. “Nja shtatë vjet deri në 2017 e ka mbajt me humbje Zeqir Mustafa. Por në fund është detyru të heqë dorë. Pas një viti që nuk ka punuar, e ka marrë një Afrim Podvorica edhe ka punuar një vit. Më shumë nuk mundi ta shtyjë as ai. Në 2018 është mbyllur. Pastaj e kanë thye dhe i kanë vjedhë të gjitha pajisjet aty. Kanë mbet veç muret”.
Për komunitetet-pa komunitetet
Furrtari Zeqir Mustafa tash punon në një dyqan të vogël ushqimor në rrugën “Skënderbeu”, në perëndim të qytetit. Ai kishte punuar në furrë nga dita e parë deri në vitin 2017. Thotë se puna aty nuk ka qenë aspak e lehtë.
“Prej ditës së parë kam punuar në furrë. Fillimi i çdo biznesi është i vështirë. M’i caktuan pesë veta me u trajnua, por vetëm një erdhi një kohë, sepse kërkonin rroga”, tregon ish-furrtari Mustafa.
Furra ishte ndërtuar për t’iu shërbyer komunitetve pakicë në Podujevë. Kështu ishte thënë në ditën e përurimit në vitin 2010.
“Jam i lumtur se kjo furrë do të punësojë pjesëtarë të komunitetit ashkali dhe të tjerë, e cila do të jetë në funksion të tyre”, kishte deklaruar ish-kryetari Agim Veliu në ditën e përurimit.
Edhe ish-zëvendësambasadori i Republikës së Çekisë, Jan Peleshinger, ishte shprehur i lumtur që po merrte pjesë në përurimin e këtij projekti që do të jetë në funksion të komunitetit ashkali në Podujevë.
E pjesëtari i vetëm i komunitetit që po punonte fillimisht aty ishte Avni Tahiri, ndërsa kryetar i Shoqatës “Nëna Terezë” ishte Enver Veliu. Asnjëri nuk jeton më. Pak kohë pas përurimit Avniu i kishte thënë “Kohës Ditore” se ndihej i lumtur që po i shërbente komunitetit të tij.
Pas periudhës së trajnimit, aty parashihej që të punësoheshin pesë veta të komunitetit ashkali, një menaxher dhe një shitëse nga komuniteti shumicë. Por, asgjë nuk ndodhi si ishte planifikuar. Aty nuk u punësua asnjë pjesëtar nga komunitetet pakicë e as nuk e kishin marrë nën menaxhim si ishte paraparë.
Ish-furrtari Zeqir Mustafa e kryetari i shoqatës “Nëna Terezë”, Hajrullah Surkishi, thonë se kjo ndodhi për shkak të mosndjekjes së trajnimit nga ana e pjesëtarëve të komuniteteve pakicë. Megjithatë, sipas tyre, kjo furrë ka dhënë bukë edhe falas për skamnorët.
“Kush ka ardhë nuk është kthy pa bukë. Në fillim e kanë sjellë do miell (shoqata ‘Nëna Terezë’ v.j.), po tjera herë gjindu vetë. Ka pas familje 5-6 muaj që kanë marrë bukë pa pare. Njëherë vëllai erdhi prej Gjermanisë edhe tha sa bukë vijnë me 1000 euro edhe i thash 4000 bukë, i kemi shpërnda. Ka mbet fletorja me veresi e që në fund veç e kam gjuajt. Buka punë e ndjeshme. Edhe profesion i vështirë”, thotë Zeqir Mustafa.
Bukë “falas”
Njësoj thotë edhe kryetari i shoqatës “Nëna Terezë”, Hajrullah Surkishi. Sipas tij, sa kishte funksionuar furra i kishin përzgjedhur nga 20 familje nga komunitetet pakicë dhe ai shqiptar me kushte të rënda ekonomike për t’iu dhënë bukë pa pagesë nga një muaj ditë.
“Kështu ka zgjatë për 3 vjet. Por, pas mosmarrëveshjeve ndërmjet komuniteteve është ndërprerë dhënia e bukës falas. Po të shkonte gjithçka sipas planit, ai komunitet bukën e kishin marrë për vete, plus ato pesë familje kishin marrë paga”, thotë tash kryetari Surkishi.
Edhe zëdhënësi i Komunës së Podujevës, Fatri Zhitia, thotë se qëllimi i ndërtimit të kësaj furre ka qenë për të dhënë bukë falas për komunitetet pakicë.
“Furra është ndërtuar në vitin 2010. Qëllimi i ndërtimit të saj ishte dhurimi i bukës falas për komunitetin RAE. Komuna i ka ofruar tokën në shfrytëzim investitorit që ishte Ambasada e Çekisë në Kosovë, ndërsa menaxhimin dhe mirëmbajtjen e saj e ka pasur për detyrë shoqata ‘Nëna Terezë’. Janë ndihmuar familjet me asistencë sociale nga komunitetet RAE, të cilat janë furnizuar me bukë pa pagesë nga kjo furrë”, thekson zëdhënësi Zhitia.
Arsyeja e mbylljes së kësaj furre, sipas tij, ka qenë për shkak të pamundësisë për t’i mbuluar shpenzimet.
Por, ndryshe thotë Xhafer Ademi, kryesues i Komitetit për Komunitete.
“Kjo furrë është ndërtuar në mënyrë humanitare për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian të Komunës së Podujevës për furnizimin me bukë. Por, pas fillimit, një kohë kanë marrë bukë, pak kohë. Këtu na bukën e kemi ble. Nuk ka funksionuar për komunitet që me marrë bukën pa pare. Prandaj, ne nuk e dimë mandej qysh është zhvilluar situata. Tjetër kush e ka marrë. Qëllimi që ka qenë për komunitet nuk është realizua”, shprehet Xhafer Ademi. “Sikur të kishte funksionuar kjo furrë këtu me marrë bukë pa pare disa familje që janë me asistencë sociale kjo kishte me qenë e mirëseardhur për komunitetin rom, ashkali dhe egjiptian këtu te ne në komunë. Familjet janë në kushte tejet të rënda. Mund të them ma shumë se gjysma janë me asistencë sociale, papunësia është e madhe edhe kështu që ne nuk mund t’ia dalim, sepse me të vërtetë është gjendje jo e mirë e komunitetit”.
Xhafer Ademi tashmë thotë se e ka humbur shpresën se kjo furrë mund të rifunksionalizohet për t’iu shërbyer 950 banorëve të komuniteteve pakicë që jetojnë në Komunën e Podujevës (ashkali, rom e egjiptian).
Zëdhënësi, Zhitia, ka thënë se këtë vit Komuna parasheh që këtë objekt ta rinovojë dhe do t’ia japë në shfrytëzim shoqatës “Handikos” në Podujevë. Dhe furra e bukës përfundimisht nuk do të shërbejë më bukë!