Arbëri

Furnizimi i Kosovës me energji nga Shqipëria nisë më 31 dhjetor në ora 7

Furnizimi i Kosovës me energji elektrike nga Shqipëria do të fillojë më 31 dhjetor në ora 7 të mëngjesit dhe do të përfundojë më 1 janar në ora 24:00.

Pas mbledhjes së Qeverisë së Shqipërisë sot, ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka folur në lidhje me ndihmën që Shqipëria do t’i ofrojë Kosovës për energji elektrike.

Ajo tha se do hiqen nga rezervat, për t’i dërguar Kosovës, ndërsa theksoi se këtë borxh Kosova do ta kthejë kur të ketë mundësi.

“Ne do sakrifikojmë dhe do heqim nga rezervat tona për t’i dërguar Kosovës energji në datat 31 dhjetor dhe 1 janar. Sasia e dërguar është 7680 megavat dhe do fillojmë transmetimin në orën 7 të datës 31 dhe do transmetojmë deri në orën 24:00 të datës 1 janar. Gjithçka që do dërgojmë nuk presim shkëmbim financiar, por kjo sasi që ne do depozitojmë do na kthehet në një moment kur ata të kenë komoditetin në periudhën e verës, pra nga qershori deri në shtator, kur Shqipëria ndeshet me vështirësitë e rezervave hidrike. Kjo është një sakrificë që bëhet nga Republika e Shqipërisë”, tha Balluku.

Sot kryeministri i Kosovës, Albin Kurti në një konferencë për media ka falënderuar kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama për ndihmën.

“Ne e falënderojmë kryeministrin e Republikës së Shqipërisë, Edi Rama për mbështetjen. Edhe Shqipëria nuk ka ndonjë bollë që të na ndihmojë neve, por në kushte dhe vështirësitë e saj ka shprehur një gatishmëri që natyrisht është për të falënderuar dhe vlerësuar”, tha Kurti.