Arbëri

Ftesa e Kurtit konsiderohet e vonuar, në Qeveri s`tregojnë nëse do të diskutohet edhe për zgjedhje

Nga Qeveria e Kosovës nuk kanë treguar nëse përveç agjendës legjislative në takimin me kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqi, kryeministri Albin Kurti do të diskutojë edhe për zgjedhjet e parakohshme. Me gjithë ftesën, kreu i PDK-së ka theksuar se në takim do të shpalosë qëndrimin e tij për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme. Ftesa e kryeministrit për opozitën është kritikuar nga njohës të punës së Kuvendit.

E vonshme dhe e pasinqertë është duke u konsideruar ftesa e kryeministrit Albin Kurti për të takuar liderët e partive opozitare.

Takimit pozitivisht  i është përgjigjur vetëm kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi.
Por, përderisa Kurti për temë të diskutimit ka përmbushjen e agjendës legjislative, kreu i PDK-së ka thënë se do të diskutojë për mundësinë e caktimit të datës së zgjedhjeve të reja.

Naim Jakaj, hulumtues në Institutin e Kosovës për Drejtësi, thotë se pushteti i drejtuar nga Kurti ka pasur qasje përjashtuese e ofenduese ndaj opozitës.

Jakaj thotë se ftesa nuk është e sinqertë edhe për faktin se është duke u bërë në vitin e fundit të mandatit.

“Kryeministri Kurti, ministrja Haxhiu asnjë herë nuk kanë pasur ndonjë kërkesë paraprake për tu takuar me opozitën në lidhje me Kodin Civil, ose ministri i financave asnjëherë nuk ka pasur një kërkesë për takim me opozitën për ndarjet buxhetore vjetore. Nga 58 amandamentet të cilat kanë qenë për votim të propozuar nga opozita parlamentare për ndarjet vjetore buxhetore për vitin e 2024 asnjë nuk është përkrahur nga shumica parlamentare”, deklaroi Jakaj.

Ftesa e kryeministrit Kurti është refuzuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës e nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj, është shprehur i gatshëm që të takohet me Kurtin për tema të tjera me interes nacional, në një kohë tjetër. 

Ndërsa ai i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se përkundër mospërgjigjes për bashkëpunim reciprok, do të vazhdojnë të jenë mbështetës për “interesa madhore” të Kosovës.

Në lidhje me refuzimin e takimit me Kurtin nga 2 prej 3 liderëve opozitarë e mundësitë e diskutimeve për çështje të tjera me Krasniqin, përgjigje nuk kanë kthyer nga Qeveria e Kosovës.