Kryeministri Albin Kurti ka thënë se Kosova do t’u rezistojë presioneve ndërkombëtare për kompromise me Serbinë.
Duke mbrojtur veprimet e qeverisjes së tij në veri, Kurti në një intervistë për prestigjiozen britanike “Financial Times” ka thënë se është hequr ndikimi i Beogradit mbi disa aspekte të jetës në Kosovë. Ai ka thënë se veprimet e Qeverisë së Kosovës “nuk janë kundër serbëve, por kundër aktiviteteve ilegale të Serbisë në Kosovë”.
Por fuqitë perëndimore kanë shprehur shqetësime për “veprime të njëanshme” të Kosovës. Megjithatë, kryeministri Kurti ka thënë se zgjidhja e çështjeve brenda Kosovës është çështje e brendshme dhe se “nuk ka... sfida të sigurisë që nuk mund t’i menaxhojmë apo kontrollojmë”.
Duke folur për mbylljen e zyrave të Postës së Serbisë në veri të Kosovës muajin e shkuar, Kurti ka thënë se aty kryheshin “aktivitete ilegale si falsifikimi i dokumenteve”.
Kurti ka folur edhe për Urën e Ibrit. Ai ka thënë se Kosova dëshiron urë normale.
“Duam urë normale. Urë normale është ura e hapur; të vetmit ata që shijojnë urë të mbyllur janë ata që ende ëndërrojnë për ndarjen e Kosovës”, ka thënë ai. “Evropa i ka shembur muret. Nuk është në rregull të insistohet në urë të mbyllur”.
Kurti ka mohuar që veprimet e tij në veri janë për vota.
Duke mbrojtur strategjinë e tij, Kurti ka thënë se Beogradi i ka forcat e armatosura në kufi me Kosovën dhe ka refuzuar nënshkrimin e marrëveshjeve.
“Sfidat më të rënda të sigurisë në këtë shekull kanë ndodhur gjatë mandatit tim”, ka thënë ai.
Kurti ka thënë se dialogu duhet të fokusohet në sovranitetin e Kosovës. Duke folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Kurti ka thënë se “nuk dëshiron që askush të jetë më i privilegjuar e që më pas dikush të jetë i diskriminuar”. “Nuk mund të ketë superminoritet siç do Beogradi”.
Siç ka shkruar ky medium, raportet SHBA-Kosovë mund të përkeqësohen nëse Donald Trumpi fiton në zgjedhjet në SHBA në nëntor. Diplomatë të afërm të ish-presidentit kanë kritikuar ashpër Kosovën dhe kanë pasur raporte më të afërta me Serbinë. Megjithatë, Kurti ka thënë se do të punonte me këdo që hyn në Shtëpinë e Bardhë, duke vënë në pah se Kosova ka pasur gjuhë të përbashkët me Trumpin sa i përket thirrjeve për rritjen e shpenzimeve evropiane të mbrojtjes.
Sipas tij, ekzekutivi i ri i Bashkimit Evropian duhet të fokusohet në rolin agresiv të Serbisë në Ballkan dhe jo që të zbusë raportet.
Kurti ka thënë se “kënaqja” e Serbisë ishte gabim.