Arbëri

FSK-së i shtohen edhe 337 rekrutë të rinj, betohen për paqe e siguri

Vijona Kryeziu dhe Fisnik Hyseni, janë bërë pjesë e Forcës së Sigurisë së Kosovës.

Pas përfundimit të trajnimit bazik në Qendrën e Stërvitjes, ata u shpërblyen nga FSK-ja për arritje të lartë fizike.

Për këta dy rekrutë të rinj, shërbimi në Ushtrinë e Kosovës është nder.

Pos këtyre dyve, Forcës iu bashkuan edhe 335 ushtarë të rinj.

Këtë të premte, rekrutët e rinj dhanë betimin në hapësirat e kazermës “Adem Jashari”.

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, gjenerallejtënant Rrahman Rama, tha se Forca është e përkushtuar për paqe e siguri në rajon.

Zëvendësministri në largim i Mbrojtjes, Burim Ramadani, tha se qëllimi i Forcës është të kontribuojë për paqe dhe siguri.

Gjithashtu, në këtë ceremoni, bazuar në rezultatet e treguara gjatë trajnimit bazë, me lëvdata për suksese të larta gjatë stërvitjes, u shpërblyen edhe disa rekrutë të tjerë.