Arbëri

Fshatrat me “rrymë fitilaqi”

“Në Malishevë na thonë se nuk janë kompetentë për zgjidhjen e problemit tonë, dikush na thotë bëni kërkesa e ankesa në Gjakovë, dikush në Prishtinë, e ne s’po merremi më me këtë punë hiç, por po përpiqemi me përforcues të ndryshëm ta bëjmë rrymën të shfrytëzueshme”, ka thënë Mustafë Javori, banor i fshatit Llazicë

Ismet Kryeziu, kryetar i fshatit Mleçan të Komunës së Malishevës, thotë se ai dhe banorët e këtij fshati kanë shfrytëzuar çdo formë të protestës për të shprehur pakënaqësinë e tyre shkaku i rrymës së pamjaftueshme, por pa asnjë sukses.

"Jemi lodhë duke protestuar shkaku i rrymës së dobët, kemi shfrytëzuar të gjitha format, por kot, ende vazhdojmë të kemi rrymën që nuk na mjafton as për ndriçim të mirë e lëre më për diçka më tepër", ka thënë Kryeziu për KOHËN.

Korrektorët dhe invertorë të ndryshëm, sipas tij, janë shoqërues të çdo familjeje të banorëve të kësaj zone.

"Më duket më shumë kemi korrektorë për përforcimin e rrymës, sesa anëtarë familjeje", shprehet Kryeziu, duke u ankuar edhe për rrjet të stërvjetruar elektrik në fshat.

Të njëjtat probleme me rrymën i thekson edhe Mustafë Javori, banor i fshatit Llazicë, fshat fqinj me Mleçanin. I pyetur se çfarë përgjigje marrin nga KEK-u apo KEDS-i në ankesat e tyre, Javori thotë se ata nuk po merren fare me banorët e kësaj ane.

"Në Malishevë na thonë se nuk janë kompetentë për zgjidhjen e problemit tonë, dikush na thotë bëni kërkesa e ankesa në Gjakovë, dikush në Prishtinë, e ne s'po merremi më me këtë punë hiç, por po përpiqemi me përforcues të ndryshëm ta bëjmë rrymën të shfrytëzueshme", ka theksuar Javori. Por ai veçon një gjë me të cilën merret KEDS-i në fshatin e tij dhe në rrethinë.

"Ata nga KEDS-i vetëm një gjë nuk harrojnë, faturat e shpenzimit të energjisë i sjellin rregullisht, e në rast se nuk paguhen ato vijnë ekipe të tyre edhe për shkyçje. Edhe na ndalin rrymën nga Prishtina nëse s'paguajmë me kohë pasi i kemi të vendosura orët elektrike", ka shtuar Javori. "Krejt pajisjet i kemi me korrektorë, shumë dëme kemi pasur në teknikë të bardhë, makinat rrobalarëse atakohen më së shumti nga rryma e pamjaftueshme", është shprehur Javori për KOHËN.

E Bajram Gashi, një banor tjetër i zonës, rrymën e dobët e quan "rrymë fitilaqësh”.

Probleme të ngjashme kanë edhe banorët e fshatrave Balincë, Pllaçicë, Gollubofc, Kijevë e Bubavec.

Komuna e Malishevës furnizohet me energji elektrike nga Nënstacioni 35/10kV Malisheva, ndërkaq sipas ekspertëve të kësaj fushe kësaj komune i duhet një Nënstacion 110/kV për furnizim të mjaftueshëm me energji elektrike. Ky është edhe burimi i problemeve me pamjaftueshmërinë e rrymës për fshatrat e fundit të shtrira në hartën kah pjesa veriore e Komunës së Malishevës.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ekrem Kastrati, ka thënë për KOHËN se është në dijeni të problemeve me rrymën e pamjaftueshme që kanë banorët. Ai ka kërkuar nga të gjitha instancat përgjegjëse që të investojnë në rritjen e kapaciteteve të rrymës elektrike për Malishevën.

"Insistoj te të gjitha instancat përgjegjëse të ndërlidhura me energjinë elektrike, por edhe nga Qeveria e Kosovës që të punojnë dhe të investojnë në rritjen e kapaciteteve furnizuese me energji elektrike për banorët e Malishevës që rrymën ta kenë të mjaftueshme jo vetëm për ndriçim, por edhe për punë e aktivitete industriale”, ka thënë Kastrati për KOHËN.

Në distriktin e KEDS-it në Malishevë nuk flasin me përfaqësues të mediave për problemet me rrymën të çfarëdo natyre, duke u arsyetuar se informimi është në kompetencë të qendrës së tyre.

Viktor Buzhala, zëdhënës i KEDS-it, e ka hequr përgjegjësinë e KEDS-it sa i përket ngritjes së një nënstacioni për furnizim adekuat të Malishevës me energji elektrike.

"Fakt që zgjidhje për Malishevën është nënstacioni 110 kV, por rrjeti i tensionit të lartë, pra përfshirë edhe nënstacionet 110 kV janë përgjegjësi e KOSTT-it", ka thënë Buzhala për KOHËN. Zyrtarët e KOSTT-it nuk u janë përgjigjur thirrjeve të KOHËS për të dhënë sqarime.