Arbëri

Fshatrat Banullë e Sllovi në hall me deponitë ilegale të mbeturinave

Banorët janë ankuar se gjatë muajve të fundit janë përballur me shtimin e deponive ilegale, ndërsa për mbushjen e tyre me mbeturina kanë fajësuar banorët e qyteteve dhe fshatrave të tjera. Ata kanë thënë se shpesh janë detyruar që të organizohen vetë për pastrimin e tyre

Banorë të disa lokaliteteve në afërsi qytetit të Lipjanit kanë shprehur ankesë se që prej muajsh janë duke u përballur me kundërmim të padurueshëm nga deponitë ilegale, të cilat, sipas tyre, po krijohen gjatë orëve të natës nga persona ende të paidentifikuar.

Me gjendje më të rëndë janë duke u ballafaquar banorët e fshatrave Banullë dhe Sllovi. Ata kanë thënë se si pasojë e gjendjes dhe e mosveprimit nga autoritetet përkatëse janë detyruar që shpesh të organizojnë për t’i larguar vetë mbeturinat.

Me gjithë aktivizimin, ata kanë shprehur vërejtjen se deponitë ilegale po mbushen sërish “nga qytetarë të komunave dhe fshatrave të tjera”.

Arsim Jashari, banor i fshatit Banullë, ka kërkuar që autoritetet komunale të ndërmarrin veprime drejt zgjidhjes së problemit.

“Pushteti aktual duhet të marrë masa dhe duhet ta ketë një kampanjë për vetëdijesimin e qytetarëve që mos të hedhen mbeturina. Ndryshe, kjo nuk ka të ndalur. Siç shihet mbrapa ka mbeturina, ka inerte, material ndërtimor, ka kafshë të ngordhura dhe problemi është mjaft i madh, sepse infeksionet kanë me qenë prezente”, ka theksuar ai.

E Ilir Hasimi, banor i Sllovisë, ka theksuar se mbeturinat nëpër deponi po sillen nga banorë të qyteteve të tjera.

“Unë i kam pa qysh moti se këtu po i sjellin mbeturinat prej Lipjanit, prej Gjilanit dhe po i hedhin këtu duke e ndotur ambientin. Janë njerëz të panjohur, andaj organet kompetente duhet t’i marrin parasysh këto gjëra që ambienti të jetë sa më i pastër, sepse ne nuk mund të bëhemi policë që t’i ruajmë njerëzit”, ka thënë Hasimi.

Krahas qytetarëve, deponitë e mbeturinave janë pastruar disa herë nga kompania publike e mbeturinave në Lipjan, “Pastrimi”. Sipas drejtorit të kësaj kompanie, Xhelal Krasniqi, pastrimi është bërë në mënyrë vullnetare.

“Nuk kemi kontratë dhe tash, siç e dini, nuk ka kontratë asnjë operator tjetër, andaj është kompetencë ekskluzive e komunës që të japë raporte, kurse ne vetëm për shërbime të rregullta. Ndërkaq, aty ku e shohim se ka ndonjë pamje të keqe, i kryejmë edhe ato shërbime pa ndonjë kompensim apo pa ndonjë kërkesë të ndonjë institucioni. Por vetëm për shkak të qytetarëve që të vetëdijesohen”, ka theksuar ai.

Në Komunën e Lipjanit kanë pranuar se gjatë kohëve të fundit është shpeshtuar dukuria e hedhjes së mbeturinave nëpër deponi ilegale. Ata kanë thënë bërë zotimin se në bashkëpunim me ndërmarrjen “Pastrimi” do të kujdesen për pastrimin e tyre.

E në degën në Lipjan të Policisë kanë bërë të ditur për KOHËN se deri më tash nuk e kanë identifikuar ndonjë person që ka hedhur mbeturina në këto lokalitete.