Qytetarët e fshatit Zajm të Klinës kanë shprehur shqetësimet e tyre për projektin e kanalizimit që është duke u realizuar në fshatin e tyre.
Konkretisht ata ankohen për punimet që po kryhen sipas tyre jo me standarde që duhet bërë. Ata akuzojnë operatorin që pos që vendos gypat e kanalizimit pa kritere, ai devijon edhe trasenë, shkruan sot Koha Ditore.
“Kompania nuk është duke e bërë punën sipas standardeve për shtrirjen e gypave të kanalizimit, e gjithashtu edhe ka ndryshuar drejtimin që e ka qenë me projekt”, ankohet një qytetar në kushte anonimiteti.
Sipas banorëve, zyrtarët përgjegjës komunalë, përveç ditës kur ishte bërë përurimi i fillimit të punimeve, para dy muajve, nuk janë parë më terren për të parë sesi po zhvillohen punimet.
Banoret frikësohen se ky projekt mund të dështojë nëse nuk mbikëqyren punimet e operatorit. Kështu që ata kanë kërkuar ndërhyrje urgjente të kryetarit të Komunës dhe zyrtarëve të tjerë përgjegjës për të inspektuar punimet në kanalizimin e ujërave të zeza në Zajm. Për këto shqetësime të shprehura të qytetarëve për punimet që po i bën operatori, të premten siç konfirmoi për Kohën ditore, drejtori i Shërbimeve Publike, Ibër Elezaj, kanë mbajtur një mbledhje ai me kryetarin e Komunës, Zenun Elezaj dhe drejtorin e Urbanizmit, Lorenc Marleku./Ilir Osmani
(Artikullin e plotë mund ta lexoni në numrin e sotëm të Kohës Ditore)