Arbëri

Fshati pa ujë

Në Drobesh të Vitisë disa banorë janë ankuar për mungesë të ujit të pijshëm. Rrjet të ujësjellësit ka, por jo edhe furnizim. Po ashtu ankohen se ujërat e zeza kanë ndotur edhe bunarët. Në Komunë nuk deshën të flisnin e në kompaninë “Hidromorava” thanë se vetëm një pjesë e fshatit ka problem me furnizim

Sabit Sejdiu, banor në fshatin Drobesh të Vitisë, thotë se prej afro gjashtë vjetësh ai dhe banorët e tjerë kanë probleme me ujë të pijshëm.

Rrjeti i ujësjellësit është i shtrirë në fshat, mirëpo në të nuk ka ujë.

Për ta bërë situatën edhe më të rëndë, banorët nuk mund të shfrytëzojnë as bunarët që kanë, pasi thonë se uji është ndotur nga një përroskë që kalon nëpër fshat.

“Bunarët i kemi, po nuk i përdorim, sepse i kemi këto ujërat e zeza të fshatit Smirë që lart atje edhe i kanë shkarkuar ujërat e zeza mbi fshatin tonë. E kanë bërë një lloj rezervuari aty, jo gropë septike, sepse ajo sado pak i filtron ujërat e zeza, po domethënë aty shkarkohen”, thotë Sejdiu.

Ai thekson se bashkë me banorët e tjerë ujin që e përdorin për pije, gatim e pastrim detyrohen ta marrin në fshatra përreth ose edhe ta blejnë.

“Për vete çdo të dytën ditë, ku i kam kamionetat në oborr, që njërën prej tyre e lë rregullisht në shtëpi, se jam në punë e njërin e lë në shtëpi për të dalë e me mbushë ujë. Për çdo ditë”, thotë Sejdiu.

Përfaqësuesi i këtij fshati, Bislim Bislimi, tha se në Komunën e Vitisë ka dorëzuar disa herë ankesa, por nuk ka marrë përgjigje.

“Aty ku është ajo puseta aty, ku janë grumbulluar ujërat e zeza, duhet që të lidhet së paku me pusetat e fshatit Drobesh që të mos ndotet kjo procka dhe eliminon në njëfarë mënyre ndotjen e madhe”, tha Bislimi.

E drejtori i Shërbimeve Publike në Viti, Basri Aliu, u shpreh i habitur me problemin.

Ai tha se nuk është në dijeni dhe nuk e di se ka pranuar kërkesa nga banorët e këtij fshati për këtë problem. Drejtori refuzoi të deklarohet, meqë ekipit të KOHËS fillimisht i tha të presë 30 minuta deri në një orë për një përgjigje, për shkak se është duke shkuar në një takim me kryetarin. Por, përkundër pritjes në objektin e Komunës, Aliu nuk është paraqitur.

Ndërkaq, në kompaninë “Hidromorava”, që është përgjegjëse për furnizim me ujë në këtë komunë, thanë se vetëm një pjesë e fshatit nuk ka ujë.

“Arsyeja pse kjo pjesë nuk mund të furnizohet prej rrjetit të ujësjellësit është mbingarkesa në të. Shtimi i konsumatorëve në Viti e sidomos punimi i ndërtesave të larta. Në vitin 2000 kanë qenë afro 400 konsumatorë, kurse tani janë rreth 3 mijë e 200 të tillë”, thuhet tutje në përgjigje të kompanisë.

Edhe në disa fshatra të tjera të Vitisë është i shtrirë rrjeti i ujësjellësit, por nuk ka ujë.