Arbëri

Fshati në Kosovë me pak banorë e shumë bukuri

Vetëm 17 km larg qytetit të Vushtrrisë ndodhet fshati Boshlan.

Gjithmonë i konsideruar si një nga fshatrat më të bukur.

Gjëja e parë që të lë përshtypje aty është natyra.

Megjithatë, Boshlani kodrinoro-malor ka mbetur mall për njerëzit. Dikur me mbi 60 shtëpi e me shumë banorë, ndërsa tani i zhytur nën qetësinë e cicërimave të zogjve.

Sipas tregimeve të banorëve, jeta e vështirë në fshat ka bërë që ata të shpërngulen në qytete, raporton emisioni “SOT” në Kohavision.

Enver Latifi, njëri nga ta, thotë se shtëpinë e vogël e ka ndërtuar vetëm për të ardhur në sezonin e verës. E në muajt e qëndrimit aty, përveç familjarëve është i shoqëruar edhe nga disa kafshë shtëpiake.

E shtëpia me ngjyrë të bardhë, mbi 80 vjet e vjetër, ka mbetur si artefakt i jetesës së dikurshme në fshat.

Skender Latifi, pronari i kësaj shtëpie, rrëfen se ishte rritur dhe atë e kishin kulm mbi kokë deri para 30 vjetësh.

Ai thotë se kthimin në fshat e ka shfrytëzuar edhe për bletari.

Përveç të mbjellave të këtyre banorëve, atraksion i këtij fshati mbeten ujëvara e edhe krojet e ujit që burojnë nga lart. E shumë qytetarë kanë vendosur ta shfrytëzojnë këtë mundësi.

Herë pas here gjallëri fshatit të Boshlanit i japin edhe çiklistët gjatë rrugës për në majë të fshatit, prej ku shihet qyteti i Vushtrrisë.

Berat Mërnica nga “Vushtrria Guide” thotë se kjo pjesë e Shalës së Bajgorës vitet e ardhshme pritet të shfrytëzohet për turizëm.

E kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Xhafer Tahiri, tregon për planifikimet e tyre në këtë zonë.

Derisa vazhdon të presë banorët, Bolshani aktualisht ka vetëm 3 shtëpi, të cilët shërbimet shëndetësore, fetare e madje edhe shkollimin duhet ta bëjnë në fshatrat fqinje.